Japin mbrojtjen ish-inspektori i ATK-së dhe një kontabilist, nën akuzat për korrupsion

Driton Fetahu ish-inspektor i Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) e Bledar Hasku kontabilist, të akuzuar për vepra që ndërlidhen me korrupsion, po akuzohen për marrje e dhënie ryshfeti.

Driton Fetahu, gjatë mbrojtjës së tij, tha se nuk kishte asnjë raport me të dëmtuarin Aliriza Hasku dhe se të njëjtin e kishte parë vetëm njëherë, ndërsa për Bledar Haskun tha se e njeh relativisht.

Ai tha se nuk kishte qenë në dijeni, që Bledar Hasku mban kontabilitetin e punëtorisë së të dëmtuarit Aliriza Hasku.

Fetahu, tregoi se Bledar Hasku çdo ditë e viziton ATK-në, sepse kjo punë kërkon azhuritet të theksuar të kontabilistëve.

Ai tha se Bledar Hasku nuk i ka ofruar ndonjëherë “nderë me të holla”.

Driton Fetahu, nuk e mohoi faktin se fotografia ku kishte dalë ai kishte qenë në punëtorinë e të dëmtuarit, për arsye sepse, sipas tij, kishte qenë i interesuar për të blerë tavolinë me karrige apo vazo dekorative te kjo punëtori, por që nuk i kujtohej data ose dita, sepse ka qenë një ditë e zakonshme dhe se kishte shkuar jozyrtarisht.

Fetahu, mohoi se nga kjo punëtori kishte marrë ndonjë objekt të luajtshëm në këmbim të diçkaje tjetër.

Në pyetjen e të dëmtuarit Aliriza Hasku, për të akuzuarin Fetahu, se a kishte shkuar në punëtorinë e tij në muajin janar 2020 dhe shtëpinë e tij më muajin mars 2020, ndërsa i akuzuari Driton Fetahu, i mohoi të dyja.

Më pas, i akuzuari Bledar Hasku tregoi se kishte punuar si këshilltar ose si kontabilist në zdrukthëtarinë “Beha”, me pronar kushëririn e tij Aliriza Hasku, me pagesë vjetore 200 euro.

Ai tha se nuk është i licensuar si kontabilist por që e ka profesionin kontabilist.

Bledar Hasku, tregoi se bashkë me Aliriza Haskun në administratë të ATK-së rastësisht e kishin takuar inspektorin Driton Fetahu.

Hasku, tha se Aliriza kishte insistuar që të e thirrin inspektorin për kafe, mirëpo sipas të akuzuarit Bledar Hasku, ai nuk kishin aq raporte sa për të pirë kafe me të.

“Sipas kërkesës se Alirizasë, unë e kam thirr Driton Fetahun për kafe dhe Alirizaja tërë kohën me mimika me sy e me prekje të këmbës e me shenjë kah inspektori, dhe i njëjti më ka jap diçka në dorë për t’ia dhënë inspektorit. Alirizaja më ka thënë që i ka 100 euro, por unë ato nuk i kam parë, por menjëherë ia kam lënë inspektorit poshtë tek këmbët”, deklaroi i akuzuari Bledar Hasku.

Ai tha se nga këto mjete nuk kishte përfituar asgjë dhe as që i kishte premtuar asgjë Aliriza Haskut.

Bledar Hasku, tha se nuk i kujtohet dhe nuk është në dijeni nëse ato para i ka marrë inspektori dhe as për tavolinë ose karrige të marrura nga ai.

Hasku tha se gjatë gjithë kohës ka insistuar që Aliriza këto punë t’i kryej personalisht me inspektorin.

“Sa herë kam marrë mesazh nga inspektori Driton, aq herë i kam thënë edhe Alirizasë për këtë çështje”, deklaroi Bledar Hasku.

Ai mohoi se inspektori i kishte kërkuar shumën në vlerë prej 500 eurove.

Trupit gjykues i përbërë nga kryetari Nikollë Komani dhe anëtarët Drilon Haraçia e Njazi Morina, caktuan vazhdimin e seancës me datën 23 prill për dhënie të fjalës përfundimtare.

Në seancën e kaluar ishin administruar provat në shkresat e lëndës.

Në këtë rast kishin dëshmuar familjarë të të dëmtuarit.

Një seancë ishte shtyrë për shkak të mungesës së avokatit.

Një seancë tjetër ishte shtyrë për përmirësim të aktakuzës.

Nga përmirësimi i aktakuzës, i akuzuari Driton Fetahu ngarkohet me veprën penale të marrjes së ryshfetit, ndërsa Bledar Hasku për dhënje të ryshfetit.

Para ricilësimit të aktakuzës, Driton Fetahu ngarkohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa për veprën penale të marrjes së ryshfetit ngarkoheshin që të dy.

Ai ishte arrestuar dhe prangosur në muajin prill bashkë me Bledar Haskun nga komuna e Rahovecit.

Sipas aktakuzës i pandehuri Driton Fetahu, në muajin janar të vitit 2019 në punëtorinë e zdrukthëtarisë “Beha”, në Rahovec, pronë e të dëmtuarit Aliriza Hasku, kishte shkuar në cilësinë e inspektorit të ATK-së në Prizren dhe përmes të pandehurit tjetër Bledar Hasku, i cili ka qenë në cilësinë e kontabilistit në po këtë punëtori, të dëmtuarit Aliriza Hasku ia kishte marrë 100 euro, 1 tavolinë dhe 4 karrige në vlerë prej 360 eurove.

Në aktakuzë thuhet se të gjitha këto i pandehuri Bledar Hasku, ia kishte dhënë Driton Fetahut, ndërsa në muajin prill të vitit 2020 Bledar Hasku, nga i dëmtuari Aliriza Hasku kishte marrë edhe 100 euro të tjera.

Bashkë me Driton Fetahu, ishte arrestuar edhe kontabilisti Bledar Hasku, i cili më pas ishte liruar në procedurë të rregullt.

Ish-inspektori Driton Fetahu, menjëherë më pas ishte suspenduar nga Administrata Tatimore e Kosovës.