Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Policët Dëshmojnë për Arrestimin e Granit Elshanit pas Vrasjes në Diskotekë

Në gjykimin e Granit Elshanit, i akuzuar për vrasje e tri vrasje në tentativë, kanë dëshmuar dy zyrtarë policorë, Riza Mahaj dhe Shpend Berisha, të cilët e arrestuan të pandehurin natën e 2 dhjetorit 2010, kur u vra Besart Shabi dhe i plagosur mbeti Valdet Kelmendi në diskotekën “City Club”, në Pejë.

Fillimisht, polici Riza Mahaj, tregoi se si erdhi deri te arrestimi i të pandehurit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Andrew Hughes, zyrtari policor tregoi se pasi kishte pranuar telefonatë pas incidentit menjëherë kishte dalë në vendngjarje, kishte formuar ekipin e hetuesisë, i kishin ndarë punët dhe më pas kishin hasur në një dëshmitar, i cili tha se mund të identifikonte kryesit e aktit dhe në bazë të një foto tha se personi ngjason me Shkodran Hysenin.

“Menjëherë ne formuam ekipin dhe shkuam në shtëpinë e Shkodran Hysenit në orën 03:00 të mëngjesit dhe aty doli babai i Shkodranit, Tahiri, i cili na pyeti se çfarë kërkonim dhe u tregua i gatshëm për bashkëpunim “, tregoi zyrtari policor.

Po ashtu, Riza Mahaj trego se Tahiri u kishte thënë se atë natë mysafir e kishin nipin e tyre, Granit Elshanin.

“Tahiri na tha se atë natë mysafir e kishin edhe Granit Elshanin dhe se na tha se mund të futeshim dhe të kontrollonim. Me të hyrë në dhomë pamë Granit Elshanin në njërin prej shtretërve, ai dukej i shqetësuar”, shtoi ai.

Më tej, ai tregoi edhe për momentin kur e gjetën armën në dhomën në të cilën qëndronte Graniti.

“Nuk e di saktësisht në cilin shtrat por në të njëjtën dhomë ku qëndronte Graniti e gjetëm armën të tipit “Six sour“, tha polici Mahaj.

Prokurori Hughs kërkoi nga trupi gjykues që dëshmitarin ta përballë me armën e konfiskuar në mënyre që ta shohë se a është ajo e njëjta armë të cilën e kishte konfiskuar 7 vite me parë.

Me ta parë armën dëshmitari tha se është po ajo arma e cila është konfiskuar me numër të njëjte serik dhe me 10 fishekë secili me numër të njëjtë serik dhe janë po ato të cilat i kemi konfiskuar në mëngjesin e 3 janarit 2010.

Granit Elshani lidhur me armën e cila u prezantua në Gjykatë tha se është hera e parë qe e sheh dhe se kurrë më parë nuk e ka parë atë.

Kundërshtim lidhur me dëshminë e dëshmitarit pati avokati Ndrecë Dodaj, i cili tha se dëshmia e Mahajt dallon shumë nga provat në procedurë të cilat do t’i shfaqë kur të vijë koha.

Prokurori Hughs pyeti për veprimet e mëvonshme dhe se pse erdhi deri tek lirimi i Granit Elshanit atë natë.

“Më pas morëm Granitin dhe vëllain e Shkodran Hysenit me vete në stacionin policor në mënyre që të identifikoheshin nga dëshmitari, ku më pas dëshmitari tha se asnjëri nga ta nuk është personi i cili gjuajti në diskotekë. Më pas për Granit Elshanin është iniciuar tjetër procedurë, ajo e armëmbajtjes pa leje dhe me urdhër të prokurorit i njëjti është lëshuar në procedurë të rregullt” deklaroi Riza Mahaj.

Në të njëjtat pyetje të prokurorit u përgjigj edhe Shpend Berisha.

“Pasi kemi marrë lajmin kemi shkuar në vendngjarje dhe kemi ndarë punët, disa shkuan në polici e disa jashtë diskotekës sepse gjurmë kishte në shumë vende. Pas lajmërimit të një dëshmitari i cili tha se mund ta identifikonte kryesin, dhe i cili tha se ai person ngjason me Shkodran Hysenin, kemi shkuar në Ramun tek shtëpia e Tahir Hysenit për ta marrë Shkodranin në Polici, mirëpo nuk arritëm ta gjenim atë sepse sipas familjareve ai ishte jashtë Kosovës”, tha oficeri i policisë.

“Me të hyre brenda kemi parë Granit Elshanin teksa hynte në një dhomë, kemi hyrë në dhomën ku qëndronte ai dhe në shtratin në të cilin qëndronte i ulur Graniti nën jastëk gjetëm një pistoletë të tipit “Six sour“, tha dëshmitari Shpend Berisha.

Po ashtu, dëshmitari tha se Graniti u kishte thënë se pistoletën e kishte gjetur rrugës për tek daja. “Pasi e gjetëm pistoletën nën jastëk të shtratit ku po qëndronte Graniti, ai na tha se ajo nuk është e tij dhe se duke shkuar rrugës për tek daja i tij i kishte gjetur dy pistoleta”, tha dëshmitari Berisha.

Ai po ashtu tregoi edhe për sjelljet e Granitit atë natë.

“Atë natë Graniti ishte i stresuar dhe i zbehur kishte një shqetësim me të madh se normal”, tha ai.

Vitin e kaluar KALLXO.com kishte siguruar aktakuzën ndaj Granit Elshanit, sipas të cilës ai shtiu për motive hakmarrjeje ndaj Kelmendit.

23 persona kanë vdekur në konfliktin mes familjeve Elshani e Kelmendi- 10 të familjes Kelmendi, 3 të asaj Elshani dhe 10 persona tjerë.

http://kallxo.com/historia-e-konfliktit-elshani-kelmendi-qe-la-23-te-vrare/