Pllakë në Park për 42 Ushtarët Sllovakë

Në zbulimin e kësaj pllake përkujtimore morën pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm sllovak Miroslav Lajcak dhe Presidentja Atifete Jahjaga.

Lojcak falënderoi kosovarët që nuk po i harrojnë ushtarët e shtetit të tij, të vdekur në një fatkeqësi ajrore gjatë kthimit në shtëpi nga misioni i KFOR-it.

“Ne e çmojmë lartë se populli i Kosovës nuk e ka harruar këtë humbje të ushtarëve tonë dhe kjo ka bërë të mundur që ne të jemi ndërtues të paqes në të gjithë regjionin,” tha Lajcak.

Presidentja Jahjaga deklaroi se Kosova gjithmonë do të nderojë sakrificën e këtyre ushtarëve.

“Kosova gjithmonë do të jetë falënderuese për kontributin e tyre dhe për këtë sakrificë sublime. Përkundër kësaj sakrifice që është dashur ta bëjmë për të rindërtuar jetët tona dhe sfidave të shumta të rrugëtimit tonë demokratik dhe me përkrahjen e partnerëve tonë strategjikë, ne kemi ecur përpara të bindur me përcaktimin tonë euro-atlantik dhe të pazmbrapsur në arritjen e këtij synimi,” tha Jahjaga.

pllaka1

Sllovakia është njëri nga pesë vendet e BE_së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por gjatë përurimit të pllakës për ushtarët sllovakë të KFOR-it Lajcak foli për përkrahjen që ky shtet po i jep integrimit evropian të Kosovës.

Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në rrugën e saj evropiane dhe se Sllovakia si ndihmuese në nënshkrimin e MSA-së do të vazhdojë ende me përkrahje, tha Lajcak.

Ai përshëndeti marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruara në Bruksel më 25 gusht dhe ofroi përkrahjen e Sllovakisë në dialogun në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy shteteve.

42 ushtarët sllovakë të KFOR-it vdiqën në janarin e vitit 2006, pasi aeroplani i tyre u rrëzua në territorin e Hungarisë.