Foto-ilustrim

Plagosje me Armë në Prishtinë, Arrestohet një i Dyshuar

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në Prishtinë.

Policia e ka konfirmuar rastin për KALLXO.com.

Sipas zëdhënësit të Policisë, Agron Borovci, rreth orës 19:30 Policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Vëllezërit Fazliu”, në kryeqytet.

“Menjëherë të gjitha njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore e operative”, tha Borovci për KALLXO.com.

Nga rezultatet e para të veprimeve hetimore policore dyshohet për një person të plagosur nga arma e zjarrit, shtoi ai.

“Në të njëjtën kohë policia ka arrestuar një person të dyshuar si dhe ka konfiskuar një armë, e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rast”, shtoi zëdhënësi i Policisë.

Viktima është transferuar në QKUK për trajtim mjekësor dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkaq, Policia është duke punuar për ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të rastit.