Slobodan Petroviq | Foto: Facebook

Petroviq kërkon të dijë a po i përfaqëson dikush serbët në qeveri

Deputeti i Partisë së Pavarur Liberale (SLS) Sllobodan Petroviq kërkoi të dijë sot në seancën e Kuvendit nga Kryeministri Ramush Haradinaj se a po përfaqësohet komuniteti serb nga dikush në qeveri.

“Ka kaluar më shumë se një muaj që mund ta shohim se qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj nuk është në përbërje të plotë. Para së gjithash në muajin e fundit kam pasur shumë pyetje nga komuniteti serb, të cilit i intereson kush është përfaqësues serb në qeveri”, tha Petroviq.

“Thjesht e pyes Kryeministrin kush është ai përfaqësues serb në Qeverinë e Kosovës. Nëse e kemi dua ta di kush është ai?”, tha Petroviq.

Deputeti shpjegime kërkoi edhe nga kryeparlamentari Kadri Veseli, duke i thënë atij se edhe Veseli është pjesë e koalicionit qeveritar.

Petroviq tha se kërkon përgjigje në pyetjen se a po përfaqësohen serbët nga dikush, pasi tha se kjo garantohet me Kushtetutë.

Ai deklaroi se përgjigjen e pret sot, ose gjatë javës.

Deputetit më pas iu përgjigj Kryeministri Ramush Haradinaj.

“Z. Petroviq më pyeti për Listën Serbe a janë në qeveri a jo? Ata kanë marrë një largim të qëndrimit nga qeveria, ne kemi shprehur një mospajtim me këtë dhe gjendja ka mbetë e padefinuar”, tha Haradinaj.

Lista Serbe njoftoi se largohet nga qeveria pas arrestimit të Marko Gjuriqit në Mitrovicën Veriore nga fundi i marsit.