“Vetëvendosje” Reagon për Zëvendësimin e Muraleve në Kuvend

Zëvendësimin e muraleve të historisë shqiptare me ato të bukurive natyrore dhe trashëgimisë kosovare VV-ja e konsideron të bërë fshehurazi.

Lëvizja “Vetëvendosje” reagoi sot, pasi muralet  e mbuluara në Kuvendin e Kosovës që nga koha kur kryeparlamentar ishte Nexhat Daci u zëvendësuan me piktura të trashëgimisë kulturore dhe bukurive natyrore të Kosovës.

Muralet që paraqisnin dy momente të historisë shqiptare- Kuvendin e Lezhës dhe Lidhjen e Prizrenit, u zbuluan të enjten nga deputetë të opozitës, ndërsa sot në vend të tyre u vendosën fotografi të Ujëvares së Mirushës dhe “Hyjneshës në Fron”.

“Vetëvendosje” në reagimin për këtë ndryshim, përgjegjësinë ia lë kryeparlamentarit Kadri Veseli.

“Veseli, sikur UNMIK-u më herët, i mbuloi muralet që shfaqin momentet më të rëndësishme kuvendore të historisë sonë, Kuvendin e Lezhës dhe Lidhjen e Prizrenit. Sikur UNMIK-u, për të mos e zemëruar Beogradin zyrtar,” thuhet në reagimin e Vetëvendosjes”.

Ky subjekt politik konstaton që Veseli po turpërohet nga historia kombëtare.

“Veseli vendosi që Kuvendi i Republikës po u dashka të turpërohet nga historia e shqiptarëve. Prandaj Veseli, qartazi i turpëruar nga kjo histori, vendosi ta mbulojë atë,” thuhet në reagimin e “Vetëvendosjes”.

Driton Lajçi këshilltar në kabinetin e Kadri Veselit i tha KALLXO.com se njëherë për njëherë nuk dëshirojnë të komentojnë në lidhje me deklaratat e “Vetëvendosjes”.

Ai megjithatë tregoi se kryeparlamentari Veseli do të dalë me një komunikatë, ose deklaratë për medie gjatë ditës.

KALLXO.com shkroi sot për zëvendësimin e muraleve në hollin e Kuvendit.