Vetëvendosje: Policia e Kosovës “Argatë të Qeverisë”

Pas vendimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, që në seancën e nesërme të Kuvendit, të kontrollohet çdo person duke përfshirë edhe bagazhet ose çantat e dorës, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.

“Pushteti po i shton masat e sigurisë brenda Kuvendit ashtu që me forcë ta shtypë vullnetin e deputetëve opozitarë e t’i hapë rrugë “Zajednicën”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvedosje.

Të enjten e javës së shkuar, vullneti i deputetëve opozitare të kësaj partie politike kulmoi kur ata hodhën gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit.

Gjithashtu LVV bën thirrje që 9 personat e arrestuar në mbrëmjen e 12 tetorit të lirohen sa më parë, duke e quajtur policinë e Kosovës “Argat të Qeverisë”.

“I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që menjëherë t’i lirojë 9 të arrestuarit dhe të ndalet së bëri argatin e qeverisë për shkak se veprimet e tilla arbitrare veç sa e tensionojnë edhe më tutje situatën”, thuhet në komunikatën e LVV.