Vendim i ri i Gjykatës për Salih Mekajn dhe Vlora Goranin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të pandehurve Salih Mekaj dhe Vlora Gorani t’ua vazhdojë masën e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë.

Në një komunikatë të dërguar sot, Gjykata Themelore në Prishtinë thotë se kjo masë e sigurisë për dy të pandehurit do të llogaritet që nga dita e nesërme.

“Gjykata po ashtu njofton se Gjykata e Apelit e Kosovës e ka vërtetuar vendimin e fundit me të cilin të pandehurve Sali Mekaj dhe Vlora Gorani u ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak në rivendosje të çështjes”, thuhet në komunikatë.

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Mekaj, ishte ndaluar më 20 korrik për shkak të dyshimit të bazuar se kishte kryer veprat penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “ushtrimit të ndikimit”.

Së bashku me Mekajn është arrestuar edhe Vlora Gorani e cila dyshohet se ka kryer veprën penale të dhënies së ryshfetit.