Salustro Mund të Dëshmojë në Gjykimin e Zekës dhe Rukollit

Ish-prokurori i EULEX-it Maurizio Salustro mund të dëshmojë në gjykimin e Milaim Zekës dhe Rrustem Rukollit.

Prokurori Paul Flynn pyeti “Dëshmitarin A” nëse gjatë takimit me Milaim Zekën i ka parë atij ndonjë kamerë, apo mjet tjetër incizues.

“Jo, nuk e kam pa që ka incizu,” tha dëshmitari.

Më pas prokurori tregoi në gjykatë se gjatë arrestimit që i ishte bërë Milaim Zekës, i ishte konfiskuar një telefon mobil në të cilin kanë qenë edhe disa video.

Prokurori tregoi se njëra nga to do t’i lëshohet dëshmitarit të mbrojtur që dëshmonte me video-lidhje, ndërsa në sallë u lëshua vetëm zëri i kësaj videoje.

Në video dëgjohej Milaim Zeka duke e pyetur  të koduarin e tashëm me shkronjën A se a ishte apo nuk ishte dëshmitar në “Grupin Drenica”.

“Jo nuk jam dhe nuk dua të jem,” i thoshte Zekës dëshmitari, duke sharë misionet e UNMIK-ut dhe EULEX-it.

“Unë nuk kam prej kujt me e rujt shpinën, pasi që unë nuk shkoj askund, po edhe kushdo që më pyet do t’i tregoj për atë që ka ndodhë,” i thoshte dëshmitari një personi të tretë që ndodhej me të dhe me të akuzuarin Zeka.

Pas dëgjimit të videos kur u bind se ishte incizuar, dëshmitari tha për Zekën “Ai koka njeri i lig”.

Pastaj prokurori përfundoi marrjen në pyetje të dëshmitarit.

Nesër pritet që mbrojtja ta marrë në pyetje të njëjtin dëshmitar, ndërsa pastaj është paralajmëruar të dëshmojë Gani Geci.

15:06

Për shkak se Milaim Zeka ka edhe shtetësinë suedeze, dy monitoruese nga ambasada e Suedisë në Kosovë janë duke e ndjekur gjykimin dje dhe sot, tregon gazetari i KALLXO.com në seancën kundër Zekës e Rukollit.

Pasdite prokurori vazhdoi ta pyes “Dëshmitarin A” për takimin e dytë me Milaim Zekën.

“Herën e dytë kur jemi taku me Milaim Zekën, ai më ka tregu një dokument, në të cilin nuk e di se çka ka pasë të shkruar, por e kam parë se është nënshkrimi im aty. Edhe unë sa e di, ajo letër ka qenë nga EULEX-i,” u përgjigj dëshmitari.

Prokurori pastaj e pyeti të koduarin me shkronjën e parë të alfabetit se pse ishte kaq shumë i interesuar Milaim Zeka për ta ditur që “Dëshmitari A” ishte dëshmitar.

“Për çka ishte i interesum, e për çka ishte kaq shumë i interesum unë nuk e di. Pytetne atë [Milaim Zekën],” u përgjigj dëshmitari.

Prokurori pastaj pyeti nëse ishte edhe dikush tjetër i pranishëm në takimin e dëshmitarit me Milaim Zekën.

Dëshmitari tregoi se gjatë këtij takimi të dytë me të akuzuarin në fillim ishin vetëm ai e Zeka, ndërsa pastaj kishin ndërruar tavolinën.

“Kur na jemi çu nga tavolina ku kemi qenë me Milaim Zekën, kemi shku në një tavolinë tjetër ku kanë qenë 3 persona. Njëri nga ta është ngritur,” tregoi dëshmitari.

Ai u pyet edhe se a e njihte Gani Gecin.

“Ganinë e kam shok, e kam pasur edhe në edhe në luftë, edhe përpara lufte dhe me të kam bisedu gjithçka, prandaj edhe për këto çka më ka thanë Milaim Zeka,” u përgjigj dëshmitari.

12:20

Ish-prokurori i EULEX-it Maurizio Salustro mund të dëshmojë në gjykimin e Milaim Zekës dhe Rrustem Rukollit.

Dëshminë e Salustros dhe Alberto Paskeras e ka kërkuar prokurori Romulo Mateus, ndërsa për këtë kërkesë informoi sot në seancë kryetarja e trupit gjykues.

Prokurori Mateus deklaroi se Salustro e Paskera aktualisht janë duke punuar në Serbi, ndërsa bëri me dije se deri të hënën do ta njoftojë gjykatën për mënyrën se si ata mund të dëshmojnë.

Pastaj prokurori tjetër Paul Flynn filloi ta marrë në pyetje dëshmitarin e koduar me shkronjën A që po dëshmon me video-lidhje nga një vend i largët.

Flynn kërkoi të dijë nëse “Dëshmitarit A” i ka ndodhur diçka gjatë luftës së viteve 1998-1999 dhe nëse po, nga kush i ka ndodhur.

Gafurr Elshani, avokati i Milaim Zekës reagoi duke kërkuar që të mos i bëhen pyetje të tilla dëshmitarit, pasi janë të parëndësishme për këtë proces, por kryetarja e trupit gjykues ia lejoi prokurorit pyetjet e ngjashme.

Pastaj prokurori e pyeti dëshmitarin nëse ai është kontaktuar nga Milaim Zeka.

“Ai më ka thirrur në një numër të ‘Valës’ që nuk e di numrin dhe më ka thënë se a mundemi me pi kafe,” tha dëshmitari.

Prokurori pastaj i tha dëshmitarit se a e ke njohur më herët Zekën dhe pse ke pranuar të pish kafe me të.

“Unë e kam njohur përmes televizionit dhe kushdo që më thërret me pi kafe unë mundem me pi kafe me të. Jena taku në restorantin ‘Dibra’ në Skenderaj,” tregoi dëshmitari.

I koduari me shkronjën A tregoi edhe për çfarë bisedoi me të akuzuarin Zeka.

“Më ka pyetur se a jam dëshmitar për ndonjë rast. Unë i kam thanë që nuk jam, sepse në atë kohë nuk e kam ditur se jam. Milaimi më ka thanë që unë e kam letrën që e di që ti je dëshmitar. Unë i kam thanë sillma letrën dhe atëherë flasim,” deklaroi dëshmitari.

Prokurori pastaj e pyeti se a e ka përmendur i akuzuari rastin për të cilin i koduari i tashëm me shkronjën A ishte dëshmitar.

“Normalisht që e ka përmend. Nuk kemi diskutuar më për këtë punë dhe kemi pi kafe në oborr të restorantit,” sqaroi dëshmitari.

Prokuroi pastaj u interesua për takimet tjera të Zekës me dëshmitarin, ndërsa i koduari me shkronjën A u nervozua.

“Nuk e di çka po doni këtu. Për këtë punë nuk ka faj Milaim Zeka. Këtu krejt fajet i ka EULEX-i, sepse ai ma ka sjellë ni letër, unë nuk e di ku e ka marrë, por ai e di se ku e ka marrë atë letër, në atë letër ka qenë nënshkrimi im,” tha dëshmitari.

Aktualisht në gjymin e Zekës dhe Rukollit është dhënë një pauzë.

Zeka e Rukolli akuzohen për shkelje e sekretit apo të fshehtësisë në procedurë. Milaim Zeka akuzohet edhe për pengim të punës në procedurën zyrtare.

Edhe seancën e djeshme të këtij gjykimi e ndoqi KALLXO.com.