Presidentja: Lufta Kundër Kancerit, Prioritet i Shëndetësisë

Aparatura dhe teknologjia për diagnostifikimin e sëmundjeve kancerogjene janë pikësynimi kryesor i institucioneve të Kosovës, sipas Presidentes Atifete Jahjaga, gjatë një vizite në Institutin Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ajo pati një kërkesë për stafin e këtij instituti.

“Kërkova nga ata që të jenë të pakompromis në misionin e tyre të veçantë në shërbimin dhe ndihmën ndaj qytetarëve tanë”, tha Jahjaga.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se përkrahja institucionale nuk po mungon por pret suksese në këtë fushë.

“Problemi i Onkologjisë dhe sëmundjeve malinje është problem sfidues për çdo sistem shëndetësor edhe për Kosovën gjithashtu”, tha Rrahmani.

Presidentja ka diskutuar me stafin sigurimin një aparature të radio terapisë i cili pritet të jetë projekt i realizuar në 2016-n. Vizita e Presidentes erdhi në kuadër të muajit tetor që njihet si muaji i cili i dedikohet luftës kundër kancerit të gjirit.

Sipas këtij instituti, viti përmbyllet me rreth 850 raste të kancerit nga ato rreth 200 raste janë të kancerit të gjirit që do të thotë nuk ka ndonjë rritje të konsiderueshme nga vitet e kaluara.