Polici që Udhëhoqi Bastisjen në Lokalin “Sekiraqa” Dëshmon në Gjykatë

Edhe pse sot ishte paraparë që Shpend Qerimi të vazhdonte me dëshminë e tij për rastin “Sekiraqa”, për arsye të panjohura ai nuk u soll në gjykatë, ndërsa në vend të tij u ftua të dëshmojë polici Lulzim Krasniqi.

Enver Sekiraqa në këtë proces gjyqësor akuzohet për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza. Sekiraqa për të gjitha pikat e akuzës është deklaruar se ndihet i pafajshëm.

Dëshmia e Krasniqit kryesisht u përqendrua në ditën kur kishte ndodhur rasti, më konkretisht lidhur me bastisjet që kishin ndodhur pas vrasjes së Rizës në gusht të vitit 2007.

Dëshmitari tregoj se ditën e vrasjes, në vendin e ngjarjes kishte dalë rreth orës 16.

“Fillimisht, detyrë primare e kemi pasur gjetjen e dëshmitarëve, përderisa hetuesit tjerë së bashku me forenzikën po e bënin shikimin e vendit të ngjarjes. Po ashtu, në vendin e ngjarjes ka qenë edhe prokurori Osman Mehmeti i cili ka qenë i shoqëruar me mbikëqyrshin Fadil Gashi”, tha Krasniqi.

Dëshmitari tregoi se pas kësaj i ishte dhënë si detyrë të kontrollonte në lokalin Sekiraqa.

“Fillimisht dyshimet e para kanë qenë problem të mëparshme që i ka pas Triumf Riza me Enver Sekiraqën dhe në ndërkohë sa kemi qenë në vendin e ngjarjes kemi pranuar informata që prej “Bar Sekiraqa” janë duke u larguar gjëra të ndryshme”, tha Krasniqi.

Dëshmitari tregoi se dyshonin se mund të bëhej fjalë për armë.

“Është dyshuar se janë armë, sepse përshkrimi ka qenë që me çanta të zeza, të madhësisë së madhe, që korrespondonin me çanta që kanë mundur të jenë me armë që po largoheshin nga bar “Sekiraqa”, tha Krasniqi.

Dëshmitari tregoi se edhe pse ishin shumë afër vendngjarjes, atyre iu desh të prisnin disa orë për lejen nga gjykatësi.

“Që nga moment kur kemi arritur ne vendin e ngjarjes e deri në bastisje ka qenë afër tre orë, ndërsa distance në mes vendimit të krimit dhe bar “Sekiraqa” është afër 300 metra, domethënë, ne kemi mundur që të shkojmë për pesë minuta, por më kujtohet që Fadil Gashi, i cili ka biseduar me prokurorin dhe i cili ka konsultuar me gjyqtarin e rastit, për të na dhënë lejen për të vazhduar me bastisjen”, tha dëshmitari.

Krasniqi tregoi se si pasojë e kësaj, policët ishin të tensionuar.

“Kjo më kujtohet shumë mirë sepse ka pasur tensione që kanë qenë në vendin e ngjarjes, sepse pyetja ka qenë që pse pasi që pranojmë kësi lloj informata nuk po na lejohet të bëjmë bastisjen”, tha Krasniqi.

Avokati mbrojtës i Enver Sekiraqës e pyeti dëshmitarin se pasi që kishin informacion pse nuk kishin bërë përjashtim dhe ta bënin bastisjen pa urdhër të gjykatës.

“Rasti si i tillë është menaxhuar prej mbikëqyrëseve dhe pa marrë urdhër prej tyre, pavarësisht ndjenjave tona ose dijenisë tonë, nuk mundemi me i marrë një numër prej 30 ose me shumë polic dhe të shkojmë dhe të bëjmë një bastisje ndokund”,tha Krasniqi

Dëshmitari tregoi se bastisja në lokalin “Sekiraqa” kishte ndodhur pasi që kishin marrë një urdhër verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Në seancën e radhës do të dëshmojë përsëri Shpend Qerimi.