Në Komisionin për Financa Mungojnë edhe Përfaqësues të Pozitës

Nuk u mbajt mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, pasi mungonte kuorumi.

Përveç bojkotit që komisioneve po u bëjnë përfaqësuesit e partive opozitare, në mbledhjen e këtij komisioni munguan ehe disa anëtarë të partive që janë në pushtet.

Kryetari i komisionit, Naser Osmani në mungesë  kuorumi shpalli të mbyllur këtë mbledhje.

“Meqenëse nuk ka kuorum mbledhja nuk mund të mbahet, shpresoj që javën e ardhshme një ditë që do ta përcaktojmë të mbahet,” tha Osmani.

Në mbledhjen e komisionit kishte ardhur edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti meqë njëra ndër pikat e rendit ishte shqyrtimi në parim i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin ne Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive.

Në komision pritej të shqyrtohej edhe Raporti i Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për Gjashtëmujorin e Parë të Vitit 2015, Raporti Vjetor Financiar i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për Vitin 2014, dhe propozimet e  komisionit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Për dallim nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, ai për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media mbajti mbledhje pa opozitën.

Në këtë mbledhje u shqyrtua Projektligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Këtë projektligj e kritikoi zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Administratë Publike Sadri Ferati.

“Gjithmonë kemi marrë ligje teknikisht më mirë të hartuara sesa ky ligj, çka është bërë nuk e di, ju e diskutoni atje, prej përkthimit skandaloz deri te çështjet teknike. Qe unë po u jap të gjitha ligjet që janë ardhë prej kësaj ministrie, i kemi më mirë sesa ky i fundit,” tha Ferati.

Por Shehrie Leci nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Administratës Publike u arsyetua se hartimin teknik të këtij ligji nuk e ka bërë ministria.

Xhevahire Izmaku, anëtare e Komisionit për Administratë Publike kërkoi që të punohet më shumë në këtë projektligj.

“Sa më parë me fillu me punu, nuk keni çfarë ta diskutojmë, sepse është një ligj bukur voluminoz,” tha Izmaku.

KALLXO.com ndoqi edhe dje mbledhje të komisioneve që po mbahen vetëm me anëtarët e partive në pushtet.