Mustafa e Thaçi në Samitin Kundër ISIS-it në Nju Jork

Në Samitin Global të Liderëve Kundër ISIS-it dhe Ekstremizmit të Dhunshëm përveç Mustafës e Thaëit do të jetë edhe Skender Hyseni.

Sipas Zyrës për Komunikim Publik në Kryeministri, Mustafa është nisur për këtë samit që do të mbahet më 29 shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, i ftuar nga presidenti amerikan Barack Obama.

Bashkë me Mustafën pjesëmarrës në këtë samit do të jenë edhe ministrat e jashtëm dhe të brendshëm Hashim Thaçi e Skender Hyseni.

Obama ftoi Mustafën për pjesëmarrje në këtë samit më 23 gusht.

Mustafa, sipas komunikatës së  Zyrës për Komunikim Publik në Kryeministri do të marrë pjesë edhe në Konferencën Globale të Clinton Global Initiative, që udhëhiqet nga ish-Presidenti Amerikan Bill Clinton si dhe në shumë takime të tjera që organizohen në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Edhe Hashim Thaçi në njoftimin e tij në Facebook për vizitën në Nju Jork, ka paralajmëruar lobimin për njohje nëpër takimet që do të ketë.

“Po nisem për New York, për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Do të kemi takime me zyrtarë të OKB-së, të BE-së, të Departamentit të Shtetit. Shumë mundësi për të lobuar për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare,” shkroi Thaçi.

Ministri i brendshëm Skender Hyseni në muajin gusht të këtij viti tha se rreth 100 kosovarë janë pjesë e ISIS-it në Siri e Irak, ndërsa sipas tij deri tash në këto luftëra të huaja kanë vdekur 40 qytetarë të Kosovës.