Kuvendi Nuk Kishte Aktivizuar Pajisjet Anti-Zjarr në Seancën me Gaz Lotsjellës

Deputetët e tri subjekteve opozitare Vetëvendosje, AAK dhe NISMA, ka tre javë që kanë bllokuar Kuvendin e Kosovës në shenjë pakënaqësie ndaj marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë me të cilat lejohet krijimi i Asociacionit të Komunave serbe.

Bllokimi i parë i seancës parlamentare filloi më 22 shtator ku kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa doli për të raportuar mbi këto marrëveshje.

Në minutat e para të fjalimit, kryeministri Mustafa u pengua nga deputetët opozitar duke u sulmuar me vezë.

Tentimi i dytë për bllokim shkoi edhe më larg. Më 8 tetor në seancën parlamentare deputeti i Lëvizjes Vetëvendosi hodhi gaz lotsjellës gjatë seancës parlamentare.

Por tymi i madh që doli nga hedhja e gaz lotsjellësit nuk aktivizoi asnjë pajisje për fikjen e zjarrit që janë në formë të bombolave por edhe si detektor.

Kuvendi i Kosovës ka pranuar se nuk kanë  aktivizuar këto pajisje.

“Aparatura-pajisjet janë alarm për intervenim. Në ditën e përmendur nuk janë aktivizuar për faktin se shërbimi i kujdestarisë ka qenë aktiv për veprime eventuale”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Kuvendi të Kosovës.

Ata kanë treguar se pajisjet prej bombolave që fikin zjarrin  janë në rregull dhe mirëmbahen nga kompania “Pastor Kosova”.

“Aparaturat janë funksionale. Servisimi i tyre i fundit është bërë gjatë muajit (korrik – gusht ) 2015 nga Kompania ‘Pastor Kosova’”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.

Kallxo.com ka kontraktuar me personin përgjegjës të kësaj kompanie Latif Imeri.

“Gjendja e aparaturave sinjalizuese është e mirë. Obligimi ynë është që këto aparatura të jenë të gatshme dhe në rregull. Kanë aparate të mjaftueshme, ato që i kanë janë në gjendje të mirë dhe janë të kualifikuara që në rast të zjarrit të aktivizohen”, tha Imeri.

Ai tregoi se ndezja e këtyre pajisjeve nuk bëhet nga kompania e tyre por nga Kuvendi.

“Në rast zjarri, apo rrezikut është stafi i Kuvendit ai që vendos kur do ta aktivizoj. Është punë e tyre se si e kanë të rregulluar këtë punë, a ndizet në çdo kat, a ndizet nga sigurimi apo stafi teknik. Është problemi i tyre se si e kanë të organizuar këtë punë që në rast rreziku apo zjarri duhet të përdoren aparatet”, deklaroi Imeri.

Kallxo.com ka siguruar tenderin që ka fituar kompania “PASTOR KOSOVA” për furnizimi, servisimi dhe mirëmbajtja e aparateve kundër zjarrit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kontrata mes Kuvendit të Kosovës dhe kompanisë “PASTOR KOSOVA” është nënshkruar më 11 qershor 2015 dhe ka vlerën e përgjithshme 3 mijë euro.

Kontrata obligon kompaninë “PASTOR KOSOVA” që të mirëmbaj dhe furnizoj pajisjet kundër zjarrit për 36 muaj.

Për servisimin dhe mirëmbajtjen e sistemit CCTV dhe mbrojtjes  kundër zjarrit ekziston edhe një tender tjetër që është lidhur mes Kuvendit të Kosovës dhe kompanisë “ PRO4” mbikëqyrësi i së cilës është Florat Krasniqi.

Kjo kontratë është lidhur 20 maj 2013 dhe ka vlerën prej 12 mijë e 942 euro. Kontrata është paraparë për36 muaj

“Me këtë tender Kompania jonë obligohet që të bëjë mirëmbajtjen e sistemit për lajmërim kundër zjarrit dhe Sistemit të vrojtimit (CCTV-apo kamera të sigurisë). Mirëmbajtja kryhet rregullisht çdo muaj që të sigurohet funksionaliteti i sistemeve në fjalë”, tha Krasniqi.

Ai tregoi se kompania e tij merret me zgjidhje për sistem të lajmërimit përmes detektorëve të zjarrit në Kuvendin e Kosovës.

Personi kontaktues i kompanisë “PRO4”, Krasniqi tha se detektivët e zjarrit lajmëroj sapo të shohin tym në ndërtesë ndërsa tha se në seancën e së enjten nuk ka funksionuar kjo për shkak të renovimit të Kuvendit.

“Detektorët e lajmërimit të zjarrit e një aneksi të ndërtesës ku përshihet edhe Salla e Parlamentit është jashtë funksionit për arsye të punimeve/renovimeve që janë duke ndodhur”, tregoi Krasniqi.

Kallxo.com ka kontaktuar edhe me Prokurorinë e Shtetit për të pyetur nëse janë duke hetuar edhe mosfunksionimin  e alarmit kundër zjarrit dhe futjen e gjësendeve nga partitë opozitare në seancën e 8 tetorit ku u hodh gazi lotsjellës por nuk ka marr përgjigje.

Kuvendi i Kosovës ballafaqohet edhe me prishje të aparaturave të skanerit, aparaturë kjo e cila bënë detektimin e mjeteve gjatë kontrolleve  të deputetëve, stafit, administratës dhe personave që hyjnë në objektin e Kuvendit.

Gjatë dy seancave të fundit më 22 shtator dhe 8 tetor, opozita ka futur brenda Kuvendit: vezë, pipa fishkëllyes e së fundi edhe gaz lotsjellës.

“Skaneri në hyrjen e deputetëve është pjesërisht operacional , pajisja shpesh here bllokohet gjatë punës ( për shkak të vjetërsisë së pajisjes – 14 vite ka punuar pa ndërprerje) ku për këtë arsye skaneri duhet të ri-startohet pas çdo ndërprerje që të jetë funksional”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit të Kosovës.

Sipas përgjigjes së Kuvendit, skaneri në hyrje për administratë dhe stafin e punonjësve të Kuvendit është jashtë funksionit prej datës 5 janar 2015 për shkak të problemeve me pjesët kryesore të funksionimit të pajisjes.

I vetmi skaner që është funksional sipas përgjigjes së Kuvendit, është ai në hyrjen kryesore të këtij institucioni.

Pas seancës së 8 tetorit ku u hodh gaz lotsjellës, kryesia e Kuvendit të Kosovë u mblodh me urgjencë pas orës 17:00.

Përveç që pati kritika për veprimet e deputetëve të opozitës, në këtë mbledhje u kritikua edhe sigurimi i Kuvendit.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti tha se duhet të shihet se si janë futur mjetet e forta nga deputetët opozita.

“Unë mendoj se edhe kryesia duhet të bisedoj për disa çështje, edhe sigurimi se si ka funksionuar , si kanë hyrë këto mjete që janë përdorur në parlament.  Nën dy, kërkoj të marrim qëndrim sa i përket aparaturave ( skanerëve) të Kuvendit.”, tha Haliti.

I dyti i Kuvendit kërkoi që skanerët të blihen në mënyrë urgjente.

E kritika ndaj sigurimit të Kuvendit pati shfaqur gjatë mbledhjes së kryesisë edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Ai pati thënë se nuk është marre që deputetët të kontrollohen në xhepa.

“Kudo duhet të pasur siguri, kudo në shtetet demokratike i kontrollojnë njerëzit. Nuk është kjo për keqardhje të kontrollohet se çka ka në xhepa kur të hyjnë në sallë. Nuk jam ithtar i sigurimit të vrazhdë por megjithatë rregullorja, ligji e përcakton qartë”, tha Beqiri.