Kryeministri Shpreson që Procesi i Liberalizimit të Vizave të Mbyllet Këtë Vit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se dialogu me Bashkimin Evropian për liberalizimin e vizave mbetet një nga prioritetet kryesore afatshkurtra të qeverisë.

Mustafa u shpreh se qeveria e vendit mbetet e përkushtuar për ta mbyllur këtë kapitull në afat sa më të shpejtë, në mënyrë që qytetarët të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shengen dhe në përputhje me rregullat dhe normat e Shengenit.

Këto deklarata Mustafa i bëri në mbledhjen e Komitetit Drejtues për liberalizimin e vizave, ku tha se përkundër punës së madhe që është bërë deri më tani nga institucionet e vendit, qytetarët kosovarë ende nuk mund të udhëtojnë lirshëm.

Më shqetësuese sipas Mustafës, është fakti i numrit të madh të qytetarëve që po e lëshojnë Kosovën, dhe migrojnë në mënyrë të parregullt përmes Hungarisë dhe shtetet e tjera të zonës Shengen.

Ai u zotua se për ta ndryshuar këtë realitet do të fillojnë të marrin masa konkrete të shpejta në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

“Ky është në realitet i dhimbshëm për mua dhe për institucionet e Republikës së Kosovës, dhe ne si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi të përkushtuar që të ndryshojmë këtë realitet dhe ta kthejmë shpresën e qytetarëve në prosperitetin ekonomik dhe social të vendit tonë”, u shpreh Mustafa.

Kryeministri ftoi të gjitha institucionet e vendit që ta bëjnë punën e vet për ri-integrimin e njerëzve që do të kthehen, së shpejti në Kosovë. Ai tha se do të kërkojnë edhe bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare në fushën e migracionit, në mënyrë që t’i ndihmojnë me ekspertizën e tyre në këtë drejtim.

Viti 2015 sipas Mustafës, mbetet vit i përfundimit të procesit për liberalizimin e vizave. Megjithatë, kryeministri ka treguar se ky proces varet edhe nga angazhimi dhe dinamika e institucioneve përkatëse për zbatimin e kritereve të mbetura.

Kosova ka mbetur vendi i vetëm i izoluar në rajon pasi që qytetarët e saj ende duhet të presin në radhë para ambasadave të huaja për t’u pajisur me vizë.