Krye-Mbikëqyrësi i AKI-së i Befasuar me Dorëheqjen e Bashkim Smakajt

Anëtarët e Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së të mërkurën kanë heshtur përballë ngjarjeve të fundit që çuan në dorëheqjen e drejtorit të AKI-së, Bashkim Smakaj.

Mbledhja e këtij komisioni të mërkurën zgjati për më shumë se një orë me dyer të mbyllura, ndërsa të pranishëm ishin edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të AKI-së, Muharrem Ajeti dhe inspektori i përgjithshëm Agron Selimaj.

Kur përfundoi mbledhja, Haxhi Shala nga NISMA, kryetar i Komisionit, tha se me anëtarët e AKI-së nuk folën për dorëheqjen e Smakajt nga posti i drejtorit të AKI-së por vetëm u njoftuan mes vete.

“Sot ka qenë vetëm takim njoftues. Besoj që prej Presidentes dhe Kryeministrit do ta kemi një njoftim në lidhje me zhvillimet se çka po ndodh në AKI”, tha Shala.

E kur u pyet për dorëheqjen  e Smakajt, kryetari i komisionit tha se është befasuar.

“Për zhvillimet në AKI edhe unë kam qenë i befasuar, nuk kam qenë shumë i befasuar për shkak të veprimeve të drejtorit por kanë qenë të befasuara se erdhën shumë shpejt, nuk pat një kohë të shkurtër që u emërua në mandatin e dytë dhe shumë shpejt u largua nga ai pozicion”, pohoi Shala.

Ai tha se për çështjen e ish drejtorit të AKI-së, Bashkim Smakaj nuk mund të flasë më shumë ngaqë nuk ka raport zyrtar për këtë çështje.

“Ne shumë shpejt do ta kemi raportin nga Presidentja dhe Kryeministri në lidhje me reagimin e tyre ose vendimin që e kanë marrë ata”, theksoi Shala.

Ai deklaroi se Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së nuk ka njohuri se kush do të vijë në vend të Smakajt.

Se a bisedoi komisioni për ish drejtorin Smakaj, nuk dha informata as anëtarja tjetër e komisionit Aida Dërguti nga radhët e Vetëvendosjes.

“Nuk e kemi ngritur këtë çështje sepse kryetari i Komisionit tha se ky takim me anëtarët e AKI-së është vetëm njoftues”, tha Dërguti.

Madje ajo nuk deshi të japë as qëndrimin e saj në lidhje me ngjarjet e fundit në AKI dhe dorëheqjen  e Smakajt.

“Përderisa nuk kemi një informacion zyrtar unë nuk guxoj të lëshohem në spekulimet e portaleve që kanë qenë informacione të ndryshme. Përderisa nuk kemi një informacion zyrtar unë nuk mund të komentoj”, tha Dërguti.

Ajo për të cilën Dërguti foli hapur ishte nënshkrimi i rregullores për konfidencialitet nga anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.

“Ne sot kemi nënshkruar deklaratën e konfidencialitetit meqë komisioni nuk i nënshtrohet një procesi të verifikimit atëherë kjo momentalisht është e rregulluar në këtë mënyrë që anëtarët e komisionit të nënshkruajnë deklaratën e konfidencialitetit”, tha Dërguti.