Kosova me 8,107 Produkte të Standardizuara

Kosova ka licencuar mbi 8000 produkte sipas standardeve ISO. Por pjesa dërrmuese e këtyre standardizime vlejnë vetëm për tregun vendor dhe jo për eksport.

Këtë e bëri të ditur Bujar Istogu nga Agjencia Kosovare e Standardizimeve (AKS) në aktivitetet e Ditës Botërore të Standardeve në Prishtinë.

Në këtë takim të pranishmit, mbajtën diskutime të përgjithshme me frymë pozitive dhe shifrat e paraqitura nga AKS, ishin të vetmet informacione konkrete.

Istogu theksoi se agjencia është ajo që e siguron platformën për zhvillimin e standardeve.

“Agjencioni [agjencia] Kosovar i Standardizime e siguron platformën për zhvillimin e standardeve, deshëm apo s’deshëm standardet janë gjithkund të pranishme nuk janë se ne po i bëjmë ato më me rëndësi të madhe se sa që janë por për vet faktin se ato përcaktojnë shumë karakteristika, madhësi, forma, përmirësojnë performancën e produkteve, dhe mënyra më e mirë për të paraqitur pengesat është standardizimi i produkteve”, vërejti ai.

Më tej Istogu prezantoi arritjet e kësaj agjencie, duke përmendur këshillin profesional të standardizimeve,18 komitete teknike, 8,107 produkte të standardizuara si Standarde Kosovare (SK), ndërsa 104 standarde presin miratim pas diskutimit publik.

AKS po ashtu është duke punuar në lansimin e “Sistemit Informativ për Menaxhimin e Standardeve (SMIS) duke ofruar platformë online për qasje sa më të lehtë në shërbime të cilat i ofron kjo agjenci.

Standardet apo siç përmenden gjerësisht, ISO standardet, përfshijnë “gjuhën e përbashkët botërore për lëvizjen e lirë të mallrave”.

Ditën Botërore të Standardeve e shënoi edhe Kosova me ç’rast Agjencia Kosovare për Standardizime nën patronatin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë prezantoi arritjet dhe sfidat e kësaj agjencie.

Bashkimi Europian përmes projektit për mbështetjen e lëvizjes së lirë të mallrave FMG do të mbështet punën e kësaj agjencie.

Projekti në fjalë ka filluar nga tetori i viti 2014 me kohëzgjatje prej 24 muaj që ka për qëllim t’i ndihmojë organeve kombëtarë të infrastrukturës së cilësisë për standardizime.

Libor Chald nga zyra e BE-së cilëson se përkrahja e BE-së përmes këtij projekti për lëvizjen e lirë të mallrave dhe standardizimit të tyre i mundëson konsumatorëve tu besojnë produkteve që i blejnë si dhe mundëson shkëmbimin e lirë të mallrave mes shteteve të ndryshme

Chald, po ashtu, tregoi se sa e rëndësishme është që Kosova t’i prezantojë dhe t’i përshtatë standardet e mallrave me ato të BE-së në mënyrë që të ketë qasje të plotë në tregjet e BE-së.