Kadri Veselit do t’i Kontrollohet Pasuria

Në mesin e afër 800 zyrtarëve të lartë publik që do t’i nënshtrohet kontrollit të plotë të pasurisë ka edhe ministra, deputetë, prokurorë e ambasadorë. Në këtë listë bënë pjesë edhe kryetari Kuvendit Kadri Veseli.

Përzgjedhja e zyrtarëve, të cilët do t’i nënshtrohen kontrollit të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) u krye sot përmes një shorti publik të këtij institucioni.

Shorti për kontrollim të pasurisë ka rënë edhe për ministrin e Bujqësisë, Memli Krasniqi, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar.

Kontrollit pasuror do t’i nënshtrohen edhe drejtues të qeverisjes vendore.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, janë ndër emrat e përzgjedhur me short.

Zyrtarë e politikanë të tjerë përfshijnë ambasadorin Skender Xhakaliu dhe deputetët Nait Hasani (PDK), Teuta Rugova (LDK), Bali Muharremaj (AAK), Sala Berisha–Shala (PDK), Duda Balje nga radhët e minoriteteve.

Shifra e kontrollit prej 20% është e obliguar me ligj.

Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit rikujtoi këtë obligim ligjor.

“Me amendamentin e ligjit për kontrollin dhe deklarimin e pasurisë që nga viti 2013, saktësisht më 21 prill 2014, obligohet agjencia që nga formularët e deklarimit të rregullt të pasurisë së paku 20% t’i kontrollojë në aspektin e plotë, se cilët formularë do të kontrollohet vendoset me hedhjen e shortit publik”, tha Preteni.

Vitin e kaluar kanë qenë rreth 600 formularë që janë kontrolluar, ku janë gjetur edhe deklarime të rrejshme.

“Vitin e kaluar kemi kontrolluar në aspektin e plotë 598 formularë të zyrtarëve të lartë publikë, të gjeturat janë në raportin e punës, por ju rikujtoj që ka 187 raste ku kemi ftuar zyrtarët për informacion shtesë, 77 raste janë trajtuar për konflikt interesi dhe 20 raste janë trajtuar për deklarim të rrejshëm”, tha Preteni.

Për të gjithë zyrtarët e lartë publikë që do të bëhet kontrolli i plotë i pasurisë, Preteni ka thënë se do të kërkohet nga institucionet e Kosovës i gjithë informacioni i nevojshëm.

Këtu bëjnë pjesë Agjencia Kadastrale e Kosovës, Agjencia e Regjistrimit të Biznesit, Ministria e Financave, Dogana, Administrata Tatimore, Ministria e Punëve të Brendshme e të tjera.

Ndryshe, mosdeklarimi in pasurisë dhe deklarimi i rrejshëm janë vepra penale që dënohen me gjobë dhe burg deri në respektivisht 5 vjet.

Lista e zyrtarëve të lartë publik që do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë, që u bë me hedhjen shortit publik, e do të nisë me numrin 6-të të kësaj liste, që është Mirdi Strana, drejtor në Ministrinë e Shëndetësisë dhe i tëri pritet të kryhet deri në fund të vitit.