Ish-Luftëtarët Përsëri Protestë Kundër Speciales

Përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta paralajmëruan për nesër protestën e radhës  kundër Speciales.

Xhavit Jashari, përfaqësues i OVL të UÇK – së tregoi që grumbullimi i protestuesve do të nisë në orën 9 e 30 të mëngjesit.

“Ne si organizata të dala nga lufta në takimin e përbashkët që e patëm sot, duke u konsultuar edhe me degët tona, duke u konsultuar edhe me strukturat tona të tri organizatave, kemi marr ni qëndrim që nesër të ftojmë protestë për ta kundërshtuar krijimin eGgjykatës Speciale,” tha Jashari.

Ndërkohë, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Smajl Elezi tha që gjatë luftës së viteve 1998-1999 krime kanë bërë serbët, e jo shqiptarët.

“Në Kosovë kanë ndodhur 274 masakara nga policia dhe ushtria serbe, domethënë janë bërë 274 vende, është bo krim  dhe asnjë nga ata nuk është në burg,” tha Elezi.

Amendamentet kushtetuese që do t’i hapin rrugë kësaj gjykate dhe ligji për këtë gjykatë pritet të miratohen nesër në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata do të hetojë krimet që mund të kenë kryer pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por, sipas sekretarit të Organizatës së Veteranëve, Faton Klinaku, të gjitha akuzat kundër ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare janë të ardhura nga Beogradi.

“Këtu e kemi ni vendim, i marrun me 1 shkurt 2010 me listë konkrete të pjesëtarëve të UÇK-së në Beograd nga gjykatësi Milan Dilparic. Është marrë vendim kundër këtyre personave që akuzohen për krime lufte, në qoftë se zihen dikun të arrestohen për krime lufte,” tha Klinaku.

Ai shtoi që është konkretisht UNMIK-u që në të gjitha rastet është thirrur në ligjin apo Kodin Penal të Jugosllavisë, me të cilin i ka dënuar pjesëtarët e UÇK-së.

Në konferencë përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta u bënë thirrje deputetëve që të mos e votojnë këtë gjykatë, e cila sipas tyre dëmton rëndë vlerat e luftës së UÇK-së.

Protesta pritet të nisë nesër para Kuvendit të Kosovës, në kohën kur do të mbahet edhe mbledhja e kuvendit, në të cilën pritet të votohen ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë votimit të Speciales.

Organizatat e dala nga lufta protestuan kundër kësaj gjykate edhe më herët gjatë qershorit dhe në muajin maj.