Intervistë: Kadri Veseli për Vezët në Parlament (VIDEO)

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se vetë do t’i nënshtrohet i pari vendimit për kontroll në hyrje të Kuvendit.

Kryesia e Kuvendit mori sot vendim që të gjithë ata që hyjnë në ndërtesë së këtij institucioni, të kontrollohen në skanerët e sigurisë.

Në një intervistë për KallxoLive me Faik Ispahiun, kryeparlamentari Veseli u shpreh se ky vendim ka qenë i nevojshëm pas situatave të javës së kaluar në seancë.

“Do të ngriten masat e sigurisë. Unë do t’u nënshtrohem i pari këtyre masave të sigurisë sepse kemi nevojë. Institucionet e sigurisë e kanë ditur se do të përdoren mjete alternative për ta pamundësuar mbajtjen e seancës. Informacioni që ka ardhë nga institucionet e sigurisë ka dalë real”, u shpreh Veseli.

Janë një varg përfitimesh, të cilat, sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, do t’i vijnë Kosovës për shkak të dialogut me Serbinë.

“Për çështje ditësh do të nënshkruhet MSA, çështje ditësh mund ta kemi fatin të pranohemi në UNESCO, çështje ditësh Serbia do ta fillojë Kapitullin 35 me Bashkimin Evropian që nënkupton domosdo duhet të heqë dorë nga ëndrra për Kosovën”, tha Veseli në intervistë për KallxoLive me Faik Ispahiun.

Në Kuvendin që e drejton Kadri Veseli, hedhja e vezëve është duke u vlerësuar si përgjigja më e butë opozitare.

Këtë përshtypje e ka edhe vetë Veseli.

Deputetët që vijnë nga LDK janë më të zëshmit që kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ta marrë përsipër krijimin e kushteve normale për zhvillimin e seancave në Kuvend.

Por Veseli insiston se nuk do të japë urdhër që policia të ndërhyjë në sallë, pavarësisht tensioneve të kaluara dhe atyre që priten.

Por Veseli mendon se në seancë duhet të jetë edhe qeveria, në përbërje të plotë.

Ndërsa kur pyetet nga moderatori nëse nesër në seancë i duhet ta dërgojë një gazetar politike, sporti, kulture apo një gazetare shtatzanë, Veseli në shaka thotë se është duke e shqyrtuar mundësinë që të kërkojë gas-maska nga komandanti i KFOR-it.