Dëshmitari: Delaliq më tha se Kelmendi Ishte Njeri i Besës

Jasmin Çatiq që u prezantua si mik i të ndjerit Ramiz Delaliq, dëshmoi në gjykimin e Naser Kelmendit.

Kelmendi përveç akuzave për krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, ngarkohet edhe për vrasjen e Ramiz Delaliqit.

Delaliq qe vrarë me breshëri armësh në Sarajevë në vitin 2007.

Dëshmitari Çatiq megjithatë tregoi në gjykatë se Delaliq kishte mendim të mirë për Kelmendin.

“Unë edhe pse e urrej Kelmendin, Delaliqi për të mendonte se ai ishte një njeri i besës të cilit mund t’i besoj, ndërsa nuk i besonte Muhamed Ali Gashit,” tha Çatiq.

Ai tregoi se edhe pse nuk ishte i pranishëm, kishte ndodhur një takim për t’u pajtuar mes Kelemendit e Delaliqit.

“Unë nuk isha atje brenda, por unë e di se ka ndodhur një takim pajtimi dhe ata ishin pajtuar dhe kjo kishte ndodhur diku rreth vitit 2005 -2006,” deklaroi Çatiq.

Megjithatë, dëshmitari nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej pyetjes së kryetares së trupit gjykues se kush kishte qenë pjesë e atij takimi, pasi ishte një kohë e gjatë.

Çatiq, në dëshminë e tij nuk la pa treguar edhe arsyen se pse e urrente Kelmendin.

“Unë e urreja Kelmendin për arsye se djali i tij e kishte marrë të dashurën time dhe unë e urreja atë se ai e kishte rritur djalin e tij në atë mënyrë. Unë gjithashtu e urreja atë për disa gjëra që ia bënte shokut tim të ndjerë, Ramizit,” tha Çatiq.

Mirëpo, dëshmitari përkundër këtyre pretendimeve nuk ishte në gjendje që të shpjegonte se për çfarë lloj gjërash bëhej fjalë.

“Unë e di se shoku im u vra me 27 gusht [2007], ai ishte një njeri që falte pesë kohët e namazit dhe kishte kryer edhe haxhin dhe një njeri si ai meritonte respekt,” tha Çatiq.

Çatiq më pas refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të prokurorit dhe kryetares së trupit gjykues, duke thënë se ende nuk e ka marrë terapinë mjekësore që përdor.

“Zonja gjyqtare, mua më kanë marrë në orën 7 të mëngjesit, ne kemi filluar në orën nëntë dhe unë ende nuk e kam marrë terapinë time dhe terapia ime nuk është me bonbone, por është një terapi e një trajtimi që është duke zgjatur që shtatë muaj, e jo shtatë ditë,” tha Çatiq.

Naser Kelmendi përveç shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja.