Anëtarët e PDK-së Nuk Pranojnë Fajësinë për Manipulim Zgjedhor

Në Gjykatën Themelore në Pejë, u mbajt seanca ndaj tre të akuzuarve të cilët ngarkohen me veprën penale, cenim i përcaktimit të lirë të votuesve.

Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Mirsad Koliqi, Rexhë Duraku dhe Bajram Bajrami si anëtarë të subjektit politik PDK, akuzohen se në nëntor të 2013-s, kanë bartur persona me gjendje të rëndë ekonomike dhe persona të moshuar drejt vendvotimeve, duke ndikuar që ata të votojnë për këtë subjekt.

Sipas aktakuzës Bajram Bajrami, si koordinator i PDK-së, kishte bërë marrëveshje me të akuzuarit Rexhë Duraku dhe Mirsad Koliqi, që me veturën e këtij të fundit dhe me shpenzimet e subjektit PDK-së, ti bartin këta persona në vendvotime.

Në këtë mënyrë, i akuzuari Koliqi kishte pasur mundësi të futej edhe brenda ambienteve të shkollës “Xhemajl Kada” në Pejë ku mbahej votimi, duke shfrytëzuar bexhin (ID) e të akuzuarit Rexhë Duraku.

Sahide Gashi, prokurore e rastit, gjatë leximit të aktakuzës theksoi se aktakuza është ngritur duke u bazuar në prova të nxjerra në mënyrë ligjore.

“Si prova për ngritjen e aktakuzës, prova të cilat e argumentojnë dyshimin e bazuar se të akuzuarit kanë kryer ketë vepër, janë konfiskimi i dokumenteve, deklaratat e dëshmitarëve, si dhe provat e shumta materiale”, tha Gashi.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e Prokurores, të akuzuarit e kundërshtuan atë dhe u deklaruan të pafajshëm.

Gjyqtari i rastit Sylë Lokaj, i informoi palët mbi afatin ligjor për paraqitjen e kundërshtimeve me shkrim ndaj aktakuzës.

Seanca u shty në afat të pacaktuar, deri në skadimin e afatit për kundërshtimin e aktakuzës nga ana e të akuzuarve.