16 Vjet Harresë për Rrugën “Osman Krasniqi” në Klinë

Banorët akuzojnë komunën për neglizhencë, ndërsa opozita për diskriminim elektoral. Komuna thotë se nuk ka para.

Mungesa e asfaltit dhe gropat e mëdha, të cilat në dimër mbushen me ujë, dhe kur ngrijnë e shndërrojnë truallin në pistë patinazhi, janë vetëm disa nga problemet e rrugës “Osman Krasniqi” (ish “Lidhja e Pejës”) në Klinë.

Edhe pse është vetëm 100 metra larg objektit të komunës, dhe një ndër rrugët me të vjetra të qytetit, rruga në fjalë është shndërruar në ankth për banorët e lagjes “Dukagjini”.

Që nga paslufta, rruga nuk është asfaltuar dhe gjendja e saj paraqitet e mjerueshme. Banorët e kësaj lagjeje drejtojnë gishtin nga organet komunale për neglizhencë.

Haki Gashi, banor i lagjes “Dukagjini”, tha për KALLXO.com se banorët iu janë drejtuar me shkresa organeve komunale për asfaltimin e rrugës, mirëpo kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Të gjitha rrugët e Klinës, janë shtruar nga dy tre here, këtë s’e ka shtruar askush dhe as nuk është ardh ndokush të interesohet. Iu jemi drejtuar disa here me shkresë [komunës]… dhe na kanë thënë po po… ja bëjmë disi”, tha Gashi.

Ndërsa banori tjetër, Ilaz Bojaj, tha se është e pakuptimtë që banoret e lagjes të participojnë me të holla, përderisa në fshatra rregullohen rrugët masivisht.

“Po nuk dua ta ndihmoj as edhe me një cent komunën. Se kur shkon [komuna] edhe atje në fshat, dhe rregullon çdo lagje pa marrë asnjë cent nga fshatarët. Ndërsa ne në Klinë na kërkojnë para. Pse na me dhënë para”, tha Bojaj.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Skënder Mërturi, asamblist i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal në Klinë, tha se jo rastësisht rruga është lënë në harresë. Sipas Mërurit, arsyet e mos-asfaltimit janë votat e pakta që fiton pushteti në atë lagje dhe karakteri periferik i lagjes.

“Më duket që ajo është pak më në skaj të Klinës, dhe aty nuk i shihet puna komunës dhe për atë arsye nuk e ka shtruar. Dhe e dyta, ne mendojmë që në atë lagje pushteti nuk ka marrë vota”, tha Mërturi.

Këtyre akuzave, nënkryetari i Komunës së Klinës, Enver Berisha, u përgjigjet me mungesën e mjeteve financiare nga komuna. Sipas Berishës, rruga në fjalë është planifikuar të shtrohet vitin ardhshëm.

“Në vitin 2016, pjesa dërmuese e rrugëve të lagjeve të qytetit, do të përfundohen së asfaltuari, duke përfshirë dhe rrugën në fjalë”, tha Berisha për KALLXO.com.

Berisha tha se pretendimet e opozitës për neglizhimin e lagjes “Dukagjini” për arsye elektorale nuk qëndrojnë.

Ndërsa nuk dihet se kur ekzaktësisht gjatë vitit që vjen kjo rrugë do të asfaltohet, është e sigurt që ndërrimi i viteve nuk do t’u japë rrugë të re banorëve të lagjes “Dukagjini”.