Përgjysmohet pacientët në listën e pritjes në Kardiologji
Funksionalizimi 24 orësh i shërbimit të kardiokirurgjisë me kardiologji invazive, në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka bërë që vëllimi i punës të rritet.
Në njoftimin e QKUK-së thuhet se lista e pritjes për koronarografi nga 1052 pacientë, sa ka qenë para funksionalizimit 24-orësh, ka zbritur në më pak se 500, ndërkohë që prej javës së ardhshme fillojnë të ftohen pacientët që kanë bërë terminet si raste jo emergjente gjatë vitit 2018.
Po ashtu, nga 102 pacientë që ishin në listë për stentim, tani janë në pritje 60 pacientë.
Sipas të dhënave në Shërbimin e Kardiologjisë Invazive, këtë vit janë realizuar 890 koronarografi, 490 procedura intervente-stentime. Intervenimi është realizuar edhe tek 312 pacientë në fazën akute të infarktit të miokardit.
Sipas këti njoftimi nga puna e kryer në kardiokirurgji dhe kardiologji invazive në QKUK, janë kursyer 3 milion euro që më parë shkonin për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore.
Tani po bëhen përgatitje intenzive për hapjen e sallës së dytë operative në kardiokirurgji e cila do të ndodhë së shpejti, krahas kësaj, hapet edhe salla e dytë e mjekimit intensiv me katër shtretër.
Janë duke u bërë përgatitje intensive për hapjen e sallës së dytë të kateterizimit ( angiografi- koronarografi i ri) funksionalizimi i saj pritet brenda dy muajve të ardhshëm.