Përfundon debati për dështimin e liberalizimit të vizave, rezoluta votohet të enjten

Ka përfunduar debati parlamentar i nisur në ora 20:00 për dështimin e liberalizimit të vizave, i thirrur nga partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje.

Në këtë debat pati akuza e kundërakuza rreth asaj se kush ishte fajtor që vendet europiane nuk i hoqën vizat për qytetarët e Kosovës.

Partitë opozitare bënë fajtore qeverisjen aktuale, të cilën e akuzuan për korrupsion e krim të organizuar.

Ndërsa, deputetët e pozitës akuzuan kolegët e opozitës, sidomos ata të Vetëvendosjes, për sjelljet e tyre tre vjet më parë, kur, sipas Bekim Haxhiut, Kosova ishte në pozitë më të favorshme.

Seanca e jashtëzakonshme u mbajt një ditë pas deklaratës së komisionerit të BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, i cili në Prishtinë tha se liberalizimi i vizave mund të mos ndodhë deri në vitin 2020.

Pas përfundimit të debateve, në ora 01:00, Kuvendi vendosi që për rezolutën të votohet para se të nisë seanca e rregullt e së enjtes.