PDK dhe VV përkrahin mbylljen e kazinove dhe lojërave të fatit

Shefi i grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka përkrahur seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga deputetët lidhur me pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit.

Krasniqi kërkoi që të votohet drejtpërdrejt pa kaluar në debat.

“Ne jemi akorduar edhe me kolegët që ta mbështesim këtë seancë duke parë ngjarjet tragjike  ditëve të fundit dhe thirrjet e vazhdueshme publike. Unë e shprehi mbështetjen duke shpresuar të votohet drejtpërdrejt pa kaluar në debat në respekt të dy vrasjeve të fundit në dy kazino, në Suharekë dhe Lipjan”, tha ai.

Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se kjo temë është dashur të diskutohet kohë më parë, duke shtuar se kazinot dhe lojërat e fatit po shërbejnë për shpërlarjen e parave.

“Edhe pse me vonesë është mirë që po flasim për këtë temë, por është e keqja që po flasim veç kur po vdesin njerëz, kur në këtë veprimtari po fshehin veprimtari të dyshimta edhe organet relevante nuk po i marrin me seriozitet dhe po kalon deri në vrasje. Ka hulumtime kredibile që disa prej këtyre kazino dhe lojëra të fatit shërbejnë për shpëlarjen e parave e qe një veprimtari e tillë lidhet me krimin e organizuar”, u shpreh ai.

Ai shtoi se në Kosovë ekzistojnë qindra kazino të cilat punojnë pa licencë, që sipas tij po mungon vullneti që të hetohen.

“Në Kosovë ka qindra kazino qe punojnë pa licence e Qeveria ose e din ose nuk e din, nëse e din shumë keq, i mbyllë sytë. Kazino ka mos të themi ngjitur më qerdhe, shkolle, xhamive e institucioneve fetare që është në s’përputhej me ligjin. Duhet një hetim i gjithanshëm nga ana e policisë e pastaj të gjyqësor. Si është e mundur që kanë marrë licensë në kundërshtim me ligjin, këtu ekziston një korrupsion që nuk ka vullnet për mos me hetu. Nuk e di nga vjen frika e prokurori që mos me hetu”, tha Konjufca.