Pavarësisht kërkesës së AAK-së, kryeministri Hoti nuk e pezullon dialogun

Qeveria e Kosovës nuk do ta pezullojë dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel pas zhvillimeve të fundit të Gjykatës Speciale, ani pse një kërkesë të tillë e bëri dje njëri nga partnerët e koalicionit, AAK-ja.

Lajmin për mospezullimin e dialogut e ka bërë të ditur për KALLXO.com, Antigona Baxhaku-Idrizi, Këshilltare Politike e kryeministrit Avdullah Hoti.

Ajo ka theksuar se në dialog, Kosova ‘merr pjesë për të realizuar interesat e veta dhe jo të Serbisë’.

“Kryeministri Avdullah Hoti, vlerëson se Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk ka asnjë arsye për të pezulluar bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian. Përkundrazi, zotohet se do të punojë me përkushtim e me ndershmëri për t’i realizuar obligimet dhe përgjegjësitë  kushtetuese. Qeveria e Kosovës, do të bashkëpunojë me të gjithë bartësit e institucioneve dhe me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Baxhaku.

Ajo ka shtuar se kryeministrit Hoti nuk do t’i komentojë zhvillimet e fundit të Speciales duke respektuar kështu parimin e ndarjes së pushteteve.

“Kryeministri Hoti, insiston në zbatimin e parimit të respektimit të ndarjes së pushteteve dhe të mos komentimit të vendimeve të Institucioneve të Drejtësisë. Kryeministri Hoti pret nga të gjithë të vazhdojnë të demonstrojnë kulturë të lartë politike, pasi që Kosova është vend i lirë që i beson drejtësisë”, ka thënë ajo.

Kërkesën e djeshme të AAK-së për pezullim e ka konfirmuar edhe sot në mbledhjen e qeverisë, ministri i AAK-së në qeverinë Hoti, Selim Selimi.

“Duhet të pezullohet dialogu deri në një moment tjetër. Natyrisht që qeveria është për vendosje të drejtësisë”, ka thënë Selimi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. 

Dje Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, shefit të gurpit paralmentar të LVV-së, Rexhep Selimi dhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.

Lexojeni aktakuzën e plotë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit