Pauzë në Kuvend

Debati në Kuvendin e Kosovës është ndërprerë deri në orën 15 e 15 minuta, kur pritet të rifillojë.

Debati për parimet qeverisëse të ekzekutivit të drejtuar nga Ramush Haradinaj tërë kohën u zhvillua me akuza e kundër-akuza mes pozitës e opozitës.

Një kohë të gjatë deputetët nuk u pajtuan se pse nuk u debatua për Qeverinë Haradinaj kur ajo u zgjodh më 9 shtator, duke fajësuar njëri-tjetrin për këtë gjë.

Më pas disa nga deputetët e partive në pushtet, vazhdimin e seancës së kërkuar nga opozita e konsideruan fushatë zgjedhore, ironikisht duke folur për këtë fushatë dhe jo për mënyrën se si po qeverisë Ramush Haradinaj dhe kabineti i tij.

Pati edhe deputetë nga opozita që ua kthyen ironinë deputetëve të partive qeveritare, duke folur edhe ata për fushatë.

Seanca e sotme po zhvillohet kur kanë kaluar dhjetë ditë të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.