Ilustrim - Gjykata e Gjakovës

Pasi pranoi se kishte poseduar armë, gjyqtari rihap gjykimin

Gjykimi i Valon Pukës, i akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe fotografim dhe incizim të paautorizuar, pritej që sot të merrte epilog.

Por, shpallja e aktgjykimit të këtij rasti nuk ndodhi. Kjo për arsye se gjyqtari i çështjes Mentor Bajraktari, tha se ka vendosur që edhe njëherë të rihapet ky gjykim.

Këtë vendim gjyqtari e arsyetoi me faktin se “duhet të vërtetohet saktë se në çfarë periudhe kohore është poseduar arma”.

Si rrjedhojë, seanca e radhës u caktua për datën 12 tetor.

Në seancën e djeshme, Puka para gjykatës tha se pranon fajin për armëmbajtje pa leje, ndërsa për veprën penale të fotografimit dhe incizimit të paautorizuar, prokurori i rastit Armend Zenelaj deklaroi se hoqi dorë.

Sipas aktakuzës, Puka pa autorizim kishte poseduar armën, për të cilën armë Gazmend Plava kishte leje.

Në aktakuzë, thuhet se pas një viti, i njëjti duke qenë i inatosur me policinë që i kishte shqiptuar gjobë në komunikacion, bën incizimin e veturës së parkuar të Policisë dhe incizimin e publikon në Facebook.

https://kallxo.com/aktakuze-e-papare-gjakovari-akuzohet-se-filmoi-makinen-e-policise/

Aktakuza shpjegon se në rrjetin social në linkun “Zyra e Ankesave”, publikon incizimin dhe shkruan kjo është “Policia e Kosovës”.