Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Gjakovari nuk e pranon se ka poseduar armë pa leje

Vegim Radoniqi, i akuzuar për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armës, nuk e ka pranuar fajësinë në seancën e parë gjyqësore ndaj tij.

Në gjykimin e sotëm, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e Dëshire Jusaj, i pandehuri Radoniqi nuk e pranoi se kishte mbajtur  armë pa leje.

“Nuk e pranoj fajin, sepse nuk ka ndonjë raport të balistikës që e vërteton se arma e gjetur trajtohet si armë”, tha i akuzuari Vegim Radoniqi.

Prokurorja Jusaj, i propozoi gjykatës që seanca e shqyrtimit gjyqësor të shtyhet për një datë tjetër, me arsyetimin që të sigurohet marrja e raportit të Agjencisë së Forenzikës, që të trajtohet si provë materiale.

Prokuroria sipas aktakuzës pretendon se në prill të vitit të kaluar, pas një kontrolli nga ana e zyrtarëve policorë, të dyshuarit Vegim Radoniqi i është gjetur një revole.

Aktakuza thotë se revolja ka qenë e tipit “Beret” dhe e njëjta është konfiskuar.

Seanca e radhës u caktua për muajin Dhjetor.