Qeli burgu - Foto: REL/Shutterstock

Paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm seksual ndaj të miturës në veturën e tij

Gjykata në Gjakovë  i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarit me iniciale B.H. nën dyshimin se ka sulmuar  seksualisht një të mitur.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i dyshuari më datë 10 prill 2019 duke drejtuar automjetin e tij e takon të miturën dhe arrin që ta bind me fjalët “unë kam respekt për ty”, me qëllim që e mitura të futet në makinën e tij.

Më tej sipas njoftimit, pasi e mitura ulet në karrigen e pasagjerit, i dyshuari kap dorën e të miturës duke e vendosur në organin gjenital të tij, me çka e mitura nën ankth dhe e shqetësuar me sjelljet e tij të sulmit seksual, largohet me vrap nga vetura dhe shkon në shkollë, ashtu e tronditur i raporton drejtorit i cili më pas njofton familjen e të miturës dhe Policinë e Kosovës.

Me këto veprime dyshohet se i pandehuri B.H. ka kryer vepër penale “sulm seksual”.

Deri tek masa e caktimit të paraburgimit, sipas njoftimit të Gjykatës,  ka ardhur pasi që gjyqtari ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit ngase kemi të bëjmë me vepra penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i ikjes dhe në këtë mënyrë të pengoj hetimet, duke ndikuar te dëshmitarët dhe dëshmitë eventuale që mund të paraqiten si prova në procedurë.

Të pandehurit i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej tridhjete 30 dite, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 23 prill 2019 dhe do të zgjasë deri më 22 maj 2019.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.