Panama Papers Zbulon Llogaritë e Ballkanasve në Parajsat Fiskale

Mediat në të gjithë Ballkanin po skanojnë të dhënat e rrjedhura nga Mossack Fonseca për të zbuluar se cilët shtetas të tyre kanë emrin në 11.5 milionë dokumentet.

Dokumentet nga firma e katërt më e madhe në botë, njohur si Panama Paper, tregojnë mënyrat e ndryshme sipas së cilave njerëzit e pasur në të gjithë botën kanë shfrytëzuar regjimet sekrete offshore të taksave dhe parajsat fiskale.

Rrjeti i Serbisë për kërkim mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin, KRIK, të martën publikoi një listë të shtetasve serbë nga dosjet e rrjedhura.

Mes tyre janë kryebashkiaku i Beogradit, Sinisa Mali, biznesmenët Srdjan Saper, Zoran Drakuliç, Miodrag Kostiç dhe të tjerë.

“Disa nga të përmendurit në dokumente janë nën hetim ose janë akuzuar për akte kriminale në lidhje me operacione offshore. Të tjerë, megjithatë, kanë përdorur firma brenda kornizës ligjore,” tha KRIK.

Të dhënat nga firma u morën nga një burim anonim prej të përditshmes gjermane Sueddeutsche Zeitung dhe më pas iu shpërndanë më shumë se 100 grupeve mediatike nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë me bazë në Uashington.

Në Bullgari, emrat e disa kompanive dhe individëve u gjetën në dokumentet e rrjedhura, por nuk ka ende implikim të politikanëve, raportoi të hënën e përditshmja 24 Chasa.

24 Chasa, i vetmi partner raportues i ICIJ nga Bullgaria, tha se dosjet përfshinin 50 kompani bullgare, gjashtë firma ndërmjetësuese, 16 pronarë dhe 78 aksionerë të lidhur me llogari jashtë vendit në parajsa fiskale në Bahamas, Seychelles, Antiles, Panama, Niue dhe Ishujt e Virgjër Britanikë.

Gazeta izraelite Haaretz, një nga mediat kryesore që ekspozoi skandalin e Panama Papers tha se mes dokumenteve është emri i Assaf Halkin, një avokat që ka regjistruar katër kompani përmes Mossac Fonseca. Një është GFI teknologji, regjistruar në Anguila me qëllimin e investimit në një kompani të teknologjisë së lartë në Shqipëri.

Haaretz gjithashtu shkroi se pronarët e kompanisë janë një shqiptar, Ismail Mulleti dhe firma kanadeze Global Fluids International S.A.

Të paktën 13 kompani, dy klientë, dy apo tre përfitues dhe 16 aksionerë nga Mali i Zi rezultuan gjithashtu në dokumentet e skandalit, sipas një harte interaktive të Irish Times.

Ministri i financës së Kroacisë të hënë tha se po ndiqte të gjitha zhvillimet e fundit dhe do të zbatonte ligjin për të gjitha kompanitë dhe shtetasit kroatë të përfshirë.

Tre kompani kroat dyshohet se janë përmendur në dokumente, por ministria mohoi të zbulonte detaje, duke cituar ligjin e privatësisë.

Projekti Rosia Montana e minierës së arit në Rumani dhe privatizimi kontraversal i rafinerisë Rafo dhe Alro janë përmendur në Panama Papers, sipas uebsajtit të gazetarisë së pavarur Rise Project.

Sipas Rise Project, biznesmeni Frank Timis dhe ish-ministri molda Ion Sturza lidhen me përdorimin e parajsave fiskale në dokumente. Biznesmenë të tjerë nga sektori i futbollit dhe media përmenden gjithashtu në dokumente.