Qeveria e Kosovës ndriçohet me ngjyrat e flamurit të Ukrainës. Foto: Kryeministri Albin Kurti në Twitter

Kosova i frikësohet “hapjes së frontit të dytë” të Rusisë në Ballkan

Ekspertët kosovarë vizitën e mundshme të të dërguarit të Kremlinit në Beograd e interpretojnë si lëvizje ruse për të sjellë në linjë aleatin e saj Serbinë — përgjatë përshkallëzimit të situatës së tensionuar në Ukrainë.

Përderisa ushtria ruse ka hyrë në Ukrainën lindore, duke ngritur frikën e një lufte gjithanshme, mediat në Serbi kanë raportuar se presidenti rus Vladimir Putin do të dërgojë një të dërguar të lartë në Beograd këtë javë për bisedime me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Ende nuk ka konfirmim zyrtar për vizitën e zyrtarit të inteligjencës ruse, Nikolai Patrushev, raportoi AP.

Një vizitë të tillë nga një zyrtar aq të lartë të Rusisë analisti politik Agon Maliqi konsideron që mund të jetë shenjë e presionit ndaj Beogradit.

“Kjo mund të jetë vetëm një shenjë presioni ndaj Beogradit dhe një përpjekje për të zgjeruar frontin [rus] kundër interesave perëndimore në Ballkan,” tha ai për Prishtina Insight.

Raportohet se bisedimet e tyre ka gjasa të fokusohen në pretendimet e fundit të Moskës se “mercenarët” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina po dërgohen për të luftuar në anën ukrainase kundër rebelëve pro-rusë.

Zyrtarë të tri shteteve kishte hudhur poshtë pretendimet e Lavrovit, duke i cilësuar si të pavërteta.

Sidqoftë, Maliqi thotë se çështja e “mercenarëve” nga Ballkani është një flamur i rremë – një pretekst i sajuar për të synuar vendet që Rusia synon të destabilizojë.

Sipas tij, rreziku më i madh është në Bosnjë dhe Herecegovinë ku ka nismë konkrete nga Republika Srpska për shkëputje nga institucionet qendrore.

“Por, gjithsesi edhe Kosova dhe vendet e tjera të rajonit mund të jenë caqe të formave të ndryshme të luftës hibride,” tha Maliqi.

Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirlind Behluli thotë se kjo vizitë  nënkupton tendencë ruse për zgjerim të konfliktit në Ballkanin Perëndimor, ‘pasi që tashmë Rusia ka përmendur implikimin si mercenarë të shqiptarëve dhe boshnjakëve në luftën ukrainase’.

“Nëpërmjet praktikave tashmë të etabluara gerasimoviane  [ndjekës së praktikës së gjeneralit rus Valery Gerasimov],  Rusia do të tentojë ta trazojë këtë pjesë të Evropës, paqja e së cilës, fatkeqësisht, është e brishtë,” tha Behluli për Prishtina Insight.

Zyrtarët perëndimorë kanë akuzuar Kremlinin për nxitje të konflikteve nacionaliste në Ballkan që kërcënojnë paqen në Bosnje dhe Kosovë dhe nxisin tensionet politike në shtetet ballkanike të NATO-s, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Të hënën, Kombet e Bashkuara bënë thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit pasi Rusia më 21 shkurt ka njohur pavarësinë e dy zonave të kontrolluara në Ukrainën lindore të drejtuar nga separatistët pro-rusë. Pas këtij vendimi, SHBA, Britania e Madhe dhe disa nga aleatët e tyre kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Këshilltari për media i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, tha për Prishtina Insight se kriza në Ukrainë padyshim mund të destabilizojë paqen edhe në Ballkanin Perëndimor dhe se bashkëpunimi politik dhe ushtarak i Rusisë me Serbinë përdoret për qëllimet hegjemoniste të të dyja vendeve.

“Kjo vizitë [e zyrtarit rus] dhe deklaratat e Vuçiqit dëshmojnë se objektivi i ardhshëm i Rusisë dhe Serbisë është destabilizimi i Ballkanit Perëndimor”, shtoi Kupina.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të martën në parlament se Kosova mbështet sovranitetin e Ukrainës dhe do të bashkërendohet me Bashkimin Evropian, SHBA-në dhe NATO-n.

Ministria e Jashtme tha se Putin “ka luftuar dhe vazhdon të luftojë kundër demokracisë në Evropë”.

“Putini po lufton edhe një herë kundër një demokracie paqësore. Ai ka zhvilluar luftëra hibride kundër demokracisë në të gjithë Evropën për vite me radhë. Bota e lirë duhet t’i përgjigjet me vendosmëri Putinit dhe përfaqësuesve të tij”, shkroi ministria në Twitter.

Deputetët e Kosovës të martën në Kuvend kërkuan që autoritetet të ndjekin nga afër zhvillimet në Ukrainë, duke e quajtur atë “frontin e parë” të një konflikti më të gjerë.

“Ukraina është fronti i parë, Ballkani është fronti i dytë dhe ne jemi linja e parë e këtij fronti të dytë në Ballkan dhe qeveria duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare”, tha Enver Hoxhaj, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës në disa raste kishte njoftuar se nëse është e nevojshme, mund të vë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës njësitë e caktuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ky artikull së pari është publikuar në Prishtina Insight.