Vendi ku u gjet tritoli me 1 Prill në Vlorë. Foto- Jerola Ziaj

Pakoja me tritol gjendet përballë Gjykatës

Policia e Vlorës njoftoi të hënën gjetjen e një pakoje me eksploziv në derën e një zyre përkthimi përballë Gjykatës së shkallës së parë. Sipas njoftimit të policisë, pakoja e dyshuar me lëndë plasëse u gjet rreth orës 14.14 të pasdites.

“Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Priten forcat e posaçme xheniere për vijimësinë e veprimeve,” thuhet në njoftimin e shpërndarë nga policia menjëherë pas ngjarjes.

Të dhënat e siguruara tregojnë se lënda shpërthyese ishte montuar së bashku me një telefon dhe ishte vendosur në derën e një zyre përkthimi, që ndodhet në katin e dytë të një ndërtese ku dominojnë shërbimet noteriale dhe ato të përkthimit.

Drejtoria e Policisë së Vlorës vijon të ruajë perimetrin e sigurisë në godinën ku u gjet sasia e lëndës eksplozive. Ndërtesa ndodhet në një nga zonat më të populluara të qytetit të Vlorës për shkak të afërsisë me gjykatën dhe punimeve që po kryhen përgjatë bulevardit Vlorë-Skelë.

Aktualisht nga ana e policisë u sekuestruan kamerat e sigurisë pranë objekteve që ndodhen përreth zyrës ku u gjet sasia e eksplozivit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes ndërsa policia ka urdhëruar evakuimin e të gjithë ndërtesës.

Ky është rasti i tretë i shënuar brenda katër muajsh, ku gjenden pako me eksploziv të pashpërthyer në qytetin e Vlorës. Më 1 prill u zbulua një pako me lëndë shpërthyese në lagjen “10 Korriku”, por ngjarja mbetet ende e pazbardhur nga policia e Vlorës.