Sarandë, hoteli i shkatërruar Foto: VOA

Arrestohet i dyshuari për shpërthimin në Sarandë

Policia e Vlorës njoftoi arrestimin e Sotir Çabirit, ndërsa dyshohet se shkatërrimi i ndërtesës ka të bëjë me konfliktet e pronësisë mbi të.

Janë dashur 50 kg tritol dhe 5 shpërthime të telekomanduar në frekuencë 2 sekonda nga njëri-tjetri për të rrëzuar hotel ” Bizanti” në Lagjen nr.1 të Sarandës. Policia e Vlorës ka arrestuar si të dyshuar për ngjarjen Sotir Çabiri, të birin e bashkëpronarit shqiptar të hotelit.

39 vjeçari nuk e ka pranuar autorësinë e ngjarjes, por burime nga grupi hetimorë thonë se ai është filmuar nga kamerat e sigurisë së qytetit që e kanë fiksuar duke lënë objekti në orën 5.52 të mëngjesit vetëm dhe duke vendosur në makinë sendet më vlerë, tre minuta para se gjithçka të shpërthente.

“Ky shtetas, mëngjesin e djeshëm, në lagjen nr. 1, Sarandë, dyshohet se ka vendosur një sasi lënde eksplozive, në hotelin që babai i tij, shtetasi S. Ç., 63 vjeç, kishte në bashkëpronësi me shtetasin E. Dh., për shkak të një procesi gjyqësor që kishin 63-vjeçari dhe shtetasi E. Dh., proces i nisur që në vitin 2002, dhe në përfundim të të cilit, pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të shtetasit E. Dh”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia dyshon se Sotir Çabiri, mund të jetë konsultuar me ekspert përpara se të ndërmerrte aksionin, sasia e eksplozivit ishte e ndarë në kolona dhe e administruar në mënyrë të saktë. “Shpërthimet ishin 5 në 2 sekonda diferencë ndaj njëri-tjetrit, nëse diçka do kishte shkuar keq një pjesë e pallateve rreth objektit do ishin shembur”, – tha drejtori i policisë së Qarkut Vlorë Ermal Muça, duke vënë në dukje përgatitjen me kujdes të shpërthimit.

Hoteli që u hodh në erë, duke u shkatërruar dhe shkaktuar dëme dhe panik në qytetin e Sarandës, ishte prej vitesh mollë sherri në një konflikt gjyqësor. Gjykata e Lartë identifikon si palë në konflikt Dhimitër Evangjeliun, Spiro Çabirin, babai i të dyshuarit të arrestuar, dhe trashëgimtarët e ndjerit Vangjel Shutka. Vendimi i Gjykatës së Lartë, që ka kthyer për rishqyrtim dosjen në Gjykatën e Apelit në Gjirokastër, bën me dije se palët nuk binin dakord mbi ndarjen e pronësisë së hotelit, i cili ishte vlerësuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Sarandë në vlerën 920 mijë euro.