Ilustrim

Shpërthimi me tritol në një hotel në Sarandë, arrestohet një i dyshuar (VIDEO)

Është arrestuar nga Policia e Shtetit shqiptar një person, si i dyshuar për shpërthimin me tritol në një hotel në Sarandë, që ka ndodhur mëngjesin e së hënës.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari S.Ç., 36-vjeçar është djali i njërit prej dy pronarëve të hotelit, të cilët kanë qenë në proces gjyqësor prej disa viteve për ndarjen e pronësisë mbi këtë hotel.

Sipas njoftimit, gjithashtu janë sekuestruar veshje që dyshohet se janë përdorur nga i dyshuari gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, tre telefona celuarë dhe sende të tjera që janë gjetur në vendngjarje.

Policia ka thënë se i arrestuari dyshohet se ka vendosur një sasi lënde eksplozive në hotelin e babait të tij, me inicialet S.Ç – 63-vjeçar, që e kishte në bashkëpronësi me shtetasin E.Dh., për shkak të një procesi gjyqësor që kishin në mes vete që nga viti 2002.

Sipas Policisë, në përfundim të këtij procesi, pjesa më me e madhe e pronësisë do t’i kalonte shtetasit E.Dh.

“Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar” – thuhet në njoftim.

Pas shpërthimit që kishte ndodhur dje, ishte ngritur një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialsitët dhe ekspertët e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe operacioni hetimor është udhëhequr nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor në Sarandë.