Paguan Dy Herë Dënimin e Njëjtë

Blerim Hoxha nga Rahoveci ishte ndaluar nga policia më 19 mars 2015 në Prishtinë duke u dënuar për mosrespektim të shenjave të trafikut me 35 euro.

Ai katër ditë më pas, më 23 mars të vitit të kaluar, e kishte paguar këtë dënim, por në gusht të këtij viti i kishte ardhur një ftesë nga Gjykata Themelore në Gjakovë-Dega në Rahovec që e obligonte atë për ta paguar dënimin e shqiptuar.

Hoxha thotë për KALLXO.com se në kohën kur i erdhi ftesa nga gjykata për pagesë të dënimit tashmë të paguar, ndodhej në pushim jashtë vendit, ndërsa tregon se prindërit e tij paguan për së dyti dënimin, nga frika se mos djalit të tyre po i del problem me ligjin.

“Dënimi është paguar dy herë. Me 20.08 kam qenë në pushime, jam kanë jashtë Kosovës. Përmes policisë gjykata e ka çuar një ftesë, gjoja për dënimin e papaguar. Ftesën apo aktvendimin e gjykatës e ka pranuar prindi edhe nga frika që mos me u arrestua unë në kufi, se policia i kanë thënë nëse kjo nuk paguhet ku e gjejnë e marrin, e ka paguar dy herë të njëjtin dënim,” shpjegon Hoxha.

Ai tregon se pas kthimit nga pushimi është ankuar në gjykatë, por zyrtarë të saj i kanë thënë se nuk e kishte paraqitur me kohë në polici kopjen e dokumentit për pagesën e dënimit.

“Dikush më ka pranuar aty në shërbim për klientë dhe më ka thënë se kjo është për shkak të gabimit tënd se nuk e ke prezantuar kopjen me vakt në polici, megjithatë unë edhe dy dënime më herët i kam pasë, i kam paguar me kohë edhe kurrë kopjen në polici nuk e kam prezentu dhe për ato ndëshkime kurrë nuk është ardhë kërkesa përmes gjyqit,” sqaron Hoxha.

Mbikëqyrësi i Gjykatës Themelore në Gjakovë-Dega në Rahovec Mizair Shabani thotë se ky institucion ka njohuri për rastin e Blerim Hoxhës.

“Ne jemi të njoftuar me rastin, por personi në fjalë është dashur ta dërgojë pagesën në polici, në mënyrë që të mos vijë deri të pagesa e dyfishtë për të njëjtin dënim,” thotë Shabani.

Ai tregon se gjykata ka udhëzuar Hoxhën që t’i drejtohet Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kthimin e mjeteve.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!