Pa rrymë, Mitrovica paralajmëron projekt energjetik milionësh

Ndonëse qyteti po përballet me probleme serioze të furnizimit me rrymë, kjo nuk i ka penguar drejtuesit e Mitrovicës të paralajmërojnë projekte ambicioze në fushën e energjetikës.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, ka thënë sot se këtë vit do të ketë investime qindra milionëshe në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike.

Ai ka përmendur një projekt që parasheh ndërtimin e një parku energjetik ku, sipas tij, do të prodhohen 105 MW energji elektrike përmes 30 turbinave me erë.

“Ky investim nga kompania “Sowi Kosovo LLC” planifikohet të bëhet në shifrën prej 169 milionë euro dhe do të jetë më i madhi i bërë që nga pas lufta në fushën e investimeve në energji alternative“, thuhet në një komunikatë të Komunës.

Sipas komunikatës, për këtë investim negociatat mes Komunës së Mitrovicës dhe investitorit “Sowi Kosovo LLC” kanë filluar në vitin 2017, ndërsa në vitin 2018 është nënshkruar memorandumi.

Njoftimi për parkun energjetik vjen pas një takimi ndërministror të udhëhequr nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ku merrte pjesë edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri e kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Gjatë takimit është njoftuar për formimin e një grupi operacional për shqyrtimin dhe vlerësimin e dokumentacionit të aplikuesit, ku si pjesë është zgjedhur edhe Komuna e Mitrovicës, respektivisht drejtoria e Urbanizmit.

Po ashtu, ky njoftim vjen në kohën kur qyteti dhe fshatrat e Mitrovicës po përballen me probleme serioze të furnizimit me energji elektrike.

https://kallxo.com/mitrovica-ne-terr/

www.kallxo.com