Hysni Gucati. Foto: Facebook

OVL e UÇK-së: Gjykata Specilale ka qëllim ta kompromentojë luftën tonë çlirimtare

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë çlirimtare mbrojtëse në pajtim me konventat ndërkombëtare dhe në rastin e zhvillimit të hetimeve nga Gjykata Speciale, ndaj Komandant Remit – Rrustem Mustafa dhe të tjerëve, konsiderojmë se është duke u bërë padrejtësi, është reagimi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

OVL e UÇK-së është shprehur të premten, një ditë pas zhvillimeve të Gjykatës Speciale dhe ftesës për ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i njohur si Remi.

“Për shumë vite pas luftës ishim dëshmitarë të dështimit total të drejtësisë ndërkombëtare, e cila përmes mekanizmave të ashtuquajtur të drejtësisë, vazhdimisht organizoi komplote kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe në rastin e zhvillimit të hetimeve nga Gjykata Speciale, ndaj Komandant Remit – Rrustem Mustafa dhe të tjerëve, konsiderojmë se është duke u bërë padrejtësi, për shkak se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë çlirimtare mbrojtëse në pajtim me konventat ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e OVL – UÇK-së.

“Ne si OVL UÇK, e kemi thënë se nuk jemi kundër drejtësisë dhe për këtë kemi kërkuar gjykatë vendore që i ndjek krimet, por kemi qenë dhe jemi kundër gjykatës speciale, për shkak se është një etnike dhe e cila nuk ka për qëllim ndjekjen e atyre që kanë kryer krime, por vetëm kompromitimin e luftës sonë çlirimtare”, përfundon reagimi.