OSBE e Gatshme t’i Monitorojë Zgjedhjet në Drenas

“Ne besojmë se prania e OSBE-së do të ishte në të mirë të zgjedhjeve pasi do ta rriste integritetin e procesit. Kosova ka kapacitet të plotë për t’i mbajtur zgjedhjet e lira dhe të drejta dhe prania e monitoruesve do të ishte vetëm vlerë e shtuar”, tha OSBE në një deklaratë të lëshuar sot.

“Për këto arsye, OSBE ka kërkuar nga KQZ autorizim për ta bërë monitorimin e këtij operacioni. KQZ është autoriteti i vetëm zgjedhor në Kosovë dhe ne mund të angazhohemi vetëm pasi ta marrim autorizimin nga KQZ. OSBE dëshiron të përmend edhe një herë bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm me KQZ-në gjatë viteve”, shtoi OSBE.

Kërkesa e OSBE-së për monitorim erdhi pas një letre të cilën ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ia dërgoi KQZ-së në emër të shteteve të Quint-it në të cilën kërkonte që t’i bëhet e mundur OSBE-së të jetë e pranishme në këtë proces.

Gjatë ditës, KQZ tha se e ka zgjatur afatin për akredititimin e vëzhguesve deri më 3 dhjetor, një ditë para zgjedhjeve.

Në rast se angazhohet, kjo do të jetë hera e parë që Misioni i OSBE-së në Kosovë përfshihet në monitorim të procesit zgjedhor. Deri në vitin 2007, OSBE kishte organizuar zgjedhjet në Kosovë, ndërsa në vitin 2013, me kërkesë të institucioneve të Kosovës, Misioni udhëhoqi operacionin zgjedhor në komunat veriore të vendit.