Nga konferenca e djeshme e opozitës

Opozita ia Rikujton Qeverisë Premtimet e Vitit 2011 për Dialogun

Ato kërkuan pezullimin e këtyre bisedimeve deri në një formulim më të qartë të natyrës së dialogut.

Shefat e grupeve parlamentare të Vetëvendosjes, AAK-së e NISMA-s kanë mbajtur sot një konferencë për media ku kanë njoftuar se janë duke i kërkuar nënshkrimet e deputetëve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në lidhje me bisedimet e Brukselit me Serbinë si dhe për takimin që do të mbahet më vonë ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të Kosovës dhe Serbisë.

Shefja e grupit parlamentarë të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami tha se ky format i dialogut nuk është duke i sjellë të mira Kosovës.

“Ne si opozitë mendojmë se ky dialog pa një format të formuluar mirë, nuk është në favor tonin. Shkuarja e Mustafës dhe Thaçit është nënshtrim, për shkak se që nga fillimi i dialogut s’kemi marrë asnjë të mirë dhe kurrë s’kemi qenë të barabartë”, tha ndër tjerash Bajrami.

Ajo ka kërkuar që dialogu me një përbërje të tillë duhet të ndërpritet. Ajo gjithashtu ka kërkuar nga deputetët e pozitës që ta nënshkruajnë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme.

Ndërsa shefi i grupit parlamentare të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca solli në kujtim premtimet e vitit 2011 kur pati filluar dialogu. Sipas tij, Qeveria e Kosovës atë botë kishte nisur këtë dialog me 3 premtime, që si ka përmbushur asnjëherë.

“Kur pati filluar dialogu në vitin 2011, Qeveria i pati premtuar 3 gjëra. Njohjen e Kosovës nga Serbia, integrimin e Kosovës dhe integrimin e serbëve të Kosovës. Serbia nuk na ka njohur, në procesin e integrimeve jemi 10 vjet mbrapa, e serbët e Kosovës nuk janë të integruar. Doli Kryetari i Mitrovicës së Veriut tha që murin e kemi ndërtuar me instruksione nga Serbia, çfarë integrimi është ky”, u shpreh Konjufca.

Ndërsa shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, kërkoi nga Thaçi e Mustafa që në bisedimet në Bruksel “të mos bëjnë lojë me shtetin”.

“Ata nuk kanë diskutuar me deputetët. Nga këtu i themi Mustafës dhe Thaçit që të mos bëjnë lojë me shtetin e Kosovës sepse qytetarët e kanë humbur durimin”, tha Lekaj.

KALLXO.com më herët publikoi krypometrin ku Bashkimi Europian u kap në rrenë, kur kishte deklaruar se ura mbi lumin Ibër do të lirohet me 20 Janar të këtij viti.

http://kallxo.com/krypometer/rrena-e-krypte-per-uren-mbi-iber/