Nga protesta në Prishtinë në kërkim të shkarkimit të Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Foto: Atdhe Mulla

Opozita e shoqëria civile e përkrahin protestën për shkarkimin e Kryeprokurorit Lumezi

Sot do të mbahet protesta e radhës ku do të kërkohet shkarkimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Kjo protestë e cila është paraparë të fillojë nga ora 18:00, do të përkrahet edhe nga partitë opozitare dhe shoqëria civile në vend. Kjo është protesta e dytë me kërkesën e njëjtë pas asaj që u mbajt javën e kaluar në Prishtinë.

Ilir Deda nga Alternativa ka konfirmuar për KALLXO.com se do të vazhdojnë edhe sot të përkrahin protestën për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit.

“Po, ne e kemi dhënë qëndrimin tonë javën e kaluar dhe ai qëndrim është i vazhdueshëm”, tha Deda për KALLXO.com.

Edhe Shpend Ahmeti, kryetar i Partisë Social Demokrate dhe Tinka Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë konfirmuar për KALLXO.com se do ta mbështesin edhe sot protestën e organizuar për shkarkimin e Kryeprokurorit Aleksandër Lumezit.

Protesta është mbështetur edhe nga 14 organizata të shoqërisë civile në Kosovë të cilat me një deklaratë të përbashkët të lëshuar sot thonë se pas dorëheqjes së ish prokurorit special z. Elez Blakaj, ato e përkrahin plotësisht protestën e organizuar nga grupi i qytetarëve për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit z. Aleksandër Lumezi.

“Letra shpjeguese e z. Blakaj sinjalizon integritetin e dobët të sistemit të drejtësisë, në veçanti prokurorisë së shtetit përballë ndërhyrjeve politike, shantazheve dhe kërcënimeve, që vijnë edhe nga vetë kryeprokurori i shtetit”, thuhet në këtë deklaratë.

“Ndërhyrjet e kryeprokurorit Lumezi për të shmangur përballjen e figurave të larta të politikës me procesin e drejtësisë janë alarmante për drejtësinë në Kosovë. Në anën tjetër përbëjnë fakte të mjaftueshme që ne si shoqëri civile dhe qytetarë të kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të tij”, thoët deklarata.

Sipas këtyre organizatave, dorëheqja e kryeprokurorit Lumezi, do të rriste besimin qytetar në drejtësinë e pavarur, prandaj “ne përkrahim protestën qytetare, dhe kërkojmë që përveç shkarkimit të tij të fillojë edhe procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë sikurse në të gjitha vendet e rajonit”.

Nga organizatorët, në ‘Facebook’ përveç kohës së protestës janë paraqitur edhe kërkesat e saj.

“Protesta e radhës mbahet në Prishtinë, të mërkurën më 29 Gusht, nga ora 18:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, me kërkesat: Shkarkimi i Kryeprokurorit; Vetingu i gjyqësorit dhe Kthimi i dinjitetit të veteranëve përmes pastrimit të listave të tyre nga mashtruesit”, thuhet në paralajmërimin e protestës.

Organizatorët kanë kërkuar përkrahjen nga qytetarët.

“Protesta e radhës po organizohet. Ti je ne, sepse ne jemi po ashtu qytetarë, si ti. Prandaj ndjeje protestën si tënden dhe bëhu pjesë e organizimit të saj: fto njerëz, printo e ngjit posterë, bëja share thirrjeve nga faqja #PROTESTOJ në Facebook, merr pjesë në takimet që i organizojmë, se ne dhe ti – jemi Ne”, thuhet në këtë postim.

Protesta për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit janë paralajmëruar edhe në qytetet e tjera.

“Pas kësaj proteste, synimi është që protestat e radhës të mbahen njëkohësisht në të gjitha qytetet në sheshet qendrore. Prandaj, filloje punën në lagjen tënde, në pjesën tënde të qytetit, në qytetin tënd, organizohu aty ku je dhe protesto duke u bërë e duke thënë #PROTESTOJ me krenari”, thuhet në postimin e organizatorëve të protestës.