Qeveria e Kosovës | Foto: KALLXO.com

Opozita dhe Banorët Nuk Marrin Pjesë në Komisionin Qeveritar

Por, në këtë Komision nuk do të marrin pjesë partitë opozitare, të cilat kanë qenë kundërshtarët më të mëdhenj të demarkacionit me Malin e Zi.

Pjesë e këtij Komisioni nuk do të jenë as përfaqësuesit dhe banorët që preken nga marrëveshja e përcaktimit të vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu tha për KALLXO.com se ky subjekt politik nuk do të marrë pjesë në këtë Komision.

“Ne nuk do t’i përgjigjemi një ftese të tillë sepse një propozim si ky është absurd në thelb dhe si i tillë edhe i papranueshëm. Marrëveshja për Demarkacionin përfundimisht ka vdekur më 1 shtator të vitit 2016 dhe ne konsiderojmë që duhet një komision që e shqyrton në tërësi demarkacionin, dhe përveç kësaj edhe një komision që e heton punën e deritanishme të Murat Mehës dhe Komisionit shtetëror, konkretisht shkeljet procedurale dhe ato penale”, tha Haxhiu.

http://kallxo.com/qeveria-terheq-demarkacionin-nga-rendi-dites/

Ajo tha se përpjekja e Qeverisë për themelimin e këtij Komisioni nuk po synon zgjidhje apo dalje nga kriza.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka refuzuar ftesën e Qeverisë së Kosovës që të jetë pjesë e këtij Komisioni.

“Nuk marrim pjesë në komisione të cilat që në start u dihet qëllimi. Komisioni i krijuar nga Qeveria për të bërë matje të territorit të Kosovës ende pa i definuar kufijtë është vazhdimësi e akteve të papërgjegjshme në ketë drejtim nga ana e kryeministrit”, deklaroi deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Ai tha se kryeministri në vend të këtyre veprimeve të papërgjegjshme duhet të marrë një vendim shumë thelbësor në këtë çështje – të hedhë poshtë krijimin e Komisionit qeveritar për definimin e vijës kufitare.

Mospjesëmarrjen në këtë Komision e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe deputetja nga NISMA, Valdete Bajrami.

“Nisma për Kosovën nuk do të marrë pjesë në takimin e nesërm, sepse e konsiderojmë këtë iniciativë të z. Mustafa joserioze për faktin se çështja e demarkacionit e ka marrë përgjigjen më 1 shtator dhe ky zotëri, por edhe Komisioni Shtetëror, duhen të kuptojnë se me këtë Marrëveshje e kanë dëmtuar territorin e vendit dhe për këtë duhet të japin llogari”, deklaroi ajo.

Deputetja Bajrami tha se demarkacioni duhet të kthehet në pikën zero dhe Qeveria e Kosovës t’i ndalë këto lojëra pasi që sipas saj shteti ynë nuk e ka përcaktuar vijën kufitare as me Shqipërinë dhe Serbinë.

Edhe përkundër kundërshtimeve të opozitës, Qeveria e Kosovës shpreson që opozita do të marrë pjesë në Komisionin e Ekspertëve për matjen e territorit të vendit.

Këshilltari i kryeministrit, Bajram Gecaj, njëherësh zëvendësministër i Pushteti Lokal, u përgjigj shkurt për KALLXO.com.

“Unë po shpresoj që do të marrin pjesë. Ta shohim çka po ndodhë nesër”, tha Gecaj.

Komisioni qeveritar për matjen e territorit të shtetit të Kosovës nuk do te ketë përfaqësues edhe të banorëve që preken nga marrëveshja e përcaktimit të vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Ali Lajqi, anëtar i Komisionit Shtetëror të Republikës së Kosovës për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi tha për KALLXO.com se nuk do të marrin pjesë në Komisionin e formuar nga Qeveria për shkak se, sipas tij, “është komision fals për me mujtë me e pranu të njëjtën vijë kufitare”.

“Ky komision nuk ka përfaqësim të drejtë të përfaqësuesve nga të gjitha rajonet e Kosovës, duke përfshirë Mitrovicën dhe vendet e tjera. Ne nuk do të përfaqësohemi në këtë Komision”, tha Lajqi.

Qeveria e Kosovës më 18 janar njoftoi për themelimin e Komisionit të Ekspertëve për matjen e territorit të vendit.

http://kallxo.com/bllokada-e-demarkacionit-e-shtyn-qeverine-te-beje-komision-per-matje-te-territorit/

Në mesin e të ftuarve për të qenë pjesë e këtij Komisioni ishin edhe profesorë nga Universiteti i Prishtinës, gjegjësisht nga Fakulteti i Shkencave Matematikore-Natyrore.

Dekani i këtij Fakulteti, Tahir Arbneshi, tha për KALLXO.com se ai ka dërguar emrin e anëtarit për këtë Komision por nuk tregoi se kush do të jetë përfaqësues i këtij institucioni në Komisionin qeveritar.

“Ne nuk kemi obligim këtu për të ju dhënë juve emra. Me  12 ka qenë afati i fundit dhe unë e kam dërguar emrin me 7 apo 8 janar. Atë ditë që më ka ardhur ftesa prej kryeministrit atë ditë kam mbajtur mbledhjen dhe kam caktuar anëtarin e Komisionit dhe e kam dërguar”, tha Arbneshi.

I pyetur nëse ka marrë pëlqimin e profesorëve për të qenë pjesë e këtij Komisioni, dekani tha se ai nuk pyet por jep detyra.

“Nuk besoj që unë duhet t’i pyes ata për detyrat që u takojnë t’i bëjnë. Unë ndaj detyra, nuk i pyes. Ajo është obligim dhe çështje mes meje dhe punonjësve të mi”, tha dekani Arbneshi.

Në rast se stafi i tij nuk do t’i përgjigjet këtij Komisioni, dekani tha se ekzistojnë sanksionet.

“Ajo ka sanksione tjera. Kush i ka përmbush detyra dhe obligimet e kontratës. Nuk e kemi ne kontratën vetëm me mbajt mësim por kemi edhe detyra tjera shtesë që na ndan përgjegjësi”, u shpreh dekani.