Operacioni 'i Artë' Policor

Një operacion i gjerë kontrolli nga ana e policisë i cili filloi gjatë ditës së djeshme në mëngjes në disa lokacione nëpër Kosovë si pjesë e përpjekjeve të organeve të rendit e ligjit për ta goditur kontrabandën me mallra, rezultoi me konfiskimin e 26 kilogramë ari, 33 kilogramë argjend si dhe arrestimin e tetë personave.

Përveç këtyre, janë konfiskuar tri vetura e një autobus që janë përdorur për bartjen e këtyre mallrave dhe 5800 euro para të gatshme.

Kjo u bë e ditur në konferencën e sotme të policisë ku prezantuan gjërat e konfiskuara gjatë operacionit të djeshëm.

Drejtori i Drejtorisë kundër krimit të Organizuar, Rexhep Fetahu, tha se ky operacion ku ishin të përfshirë edhe Dogana e Kosovës, ATK-ja, Inpektorati i Tregtisë dhe Industrisë ka rezultuar me sukses.

“Janë arrestuar 8 persona të dyshuar kemi nën hetime të tjerë vazhdojmë me proces. Janë sekuestruar 26 kilogram ari, 33 kilogram argjend, 3 vetura të cilat janë përdorur për transportin e këtyre mallrave, një autobus dhe 5800 euro kesh”, tha Fetahu

Ai shtoi se ky operacion ishte hetim disa mujore kundër një grupi i cili merret me kryerjen e veprave penale.

“Drejtoria për hetimin e krimit të organizuar në bashkëpunim të ngushtë me agjencione të tjera kanë ndërmarrë hetime disa mujore kundër një grupi strukturor i cili merret me kryerjen e veprave penale të ndryshme të krimit të organizuar e sidomos kontrabandimin e mallrave të fokusuara në argjend dhe ari”, shtoi Fetahu.

Fetahu tregoi edhe se ky operacion kishte përfshirë të gjithë rajonet e Kosovës, ndërsa shtoi se janë të fokusuar në argjendari.

Ai tha se tetë të dyshuarit sot do të dalin para gjyqtarit në procedurë paraprake për caktimin e masës së sigurisë.

http://kallxo.com/policia-godet-kontrabanden-mallra-ne-tere-kosoven/