Kryeministri Isa Mustafa pret ndihmëssekretaren e Shtetit, Victoria Nuland – Foto: Kryeministria

Nuland Flet për Demarkacionin e FAK-un

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, e shoqëruar nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, është takuar me kryeministrin Isa Mustafa dhe kryeparlamentarin, Kadri Veseli.

Në këto takime është biseduar për proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova, e edhe për demarkacionin.

Në takim me kryeministrin, të pranishëm ishin edhe dy ministrat, ai i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, Mustafa me mysafiren ka biseduar për proceset aktuale dhe për përkushtimin e institucioneve të Kosovës në adresimin e çështjeve të rëndësishme që lidhen me të ardhmen euroatlantike të vendit.

“Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa tha se institucionet e Kosovës, duke u bazuar edhe në përkrahjen e ofruar nga SHBA-të, do të adresojnë çështjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke i hapur udhë lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në vendet e BE-së”, thuhet në komunikatë.

Muatafa në këtë takim foli edhe për riformatimin e Qeverisë, duke theksuar se riformatimi do të përfshijë zvogëlimin e kabinetit, përfshirjen e njerëzve të rinj si dhe rritjen e efikasitetit dhe përshpejtimin e proceseve reformuese.

Nuland, ndërkaq, theksoi rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektivës eurointegruese të Kosovës.

Foto: Kuvendi i Kosovës
Foto: Kuvendi i Kosovës

Ndërsa në takim me kryeparlamentarin Veseli ndihmëssekretarja e Shtetit foli ndër të tjera edhe për forcat e armatosura të Kosovës.

“Në takim u bisedua edhe për transformimin e FSK-së, si proces i domosdoshëm në kuadër të forcimit të shtetit të Kosovës”, thekson një komunikatë e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës.

Duke ritheksuar mbështetjen e SHBA-së, Nuland tha se forcimi i sundimit të ligjit, i sistemit të drejtësisë dhe luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar, janë thelbësore për përparimin e Kosovës.

Ndërsa Veseli theksoi se mbetet i përkushtuar tërësisht në agjendën e forcimit të shtetit ligjor në Kosovë, si dhe në reformat e domosdoshme institucionale, që kanë të bëjnë me agjendën euro-atlantike të vendit.

Nuland sot takoi edhe zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviq.