Një i Vdekur e 14 të Lënduar në Aksident Trafiku

Një person ka humbur jetën ndërsa 14 të tjerë kanë marrë lëndime si pasojë e një aksidenti trafiku që ndodhi sot në mëngjes në rrugën Komoran- Drenas.

Policia e Kosovës bën të ditur se aksidenti ka ndodhur në fshatin Zabel i Ulët, ndërsa në të kanë qenë të përfshirë një veturë Passat dhe një autobus.

Si pasojë e këtij aksidenti, sipas Policisë, ka ndërruar jetë 21 vjeçari G.D. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekëve në QKUK në Prishtinë.

Gjithashtu edhe të lënduarit tjerë janë dërguar për trajtim mjekësor.

“Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga ana e njësiteve policore relevante, si dhe pas konsultimit me Prokurorin e shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, thuhet në komunikatën e Policisë përderisa ngasësit të autobusit i është shqiptuar masa e arrestit për 48 orë.

“Hetuesit e trafikut rajonal po punojnë me përkushtim për të ndriçuar të gjitha rrethanat që kanë sjellë deri te ky aksident trafiku”, thuhet në komunikatën e Policisë.