Nga Gjilani, Opozita u 'Bllokon' Rrugën Marrëveshjeve

Në protestën e mbajtur në Gjilan, tre liderët e opozitës kanë kritikuar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendësin e tij, Hashim Thaçi, për këto marrëveshje, ndërsa u kanë bërë thirrje gjilanasve që të vazhdojnë kundërshtimin e marrëveshjeve për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Isa Mustafa e Hashim Thaçi e kanë humbur argumentin politik për kundërshtimin tonë ndaj dy marrëveshjeve. E kanë vetëm argumentin e forcës. Ata nuk duan ta dëgjojnë dhe ta shohin qytetarin. Ata vullnetin popullor e shohin si rrezik”, tha kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, para protestuesve të mbledhur në sheshin kryesor të Gjilanit

“Këta kryepolicë të pushtetit, flasin vetëm me polici. Jo kundër krimit të korrupsionit, por kundër opozitës dhe qytetarëve që e mbështesin opozitën”, u shpreh Ymeri.

Ai tha se opozita dhe mbështetësit e saj nuk do të ndalen së kundërshtuari marrëveshjet.

“Marrëveshjet nuk do të kalojnë asnjëherë. A e dini pse nuk kalojnë? Sepse Republika nuk mund ta pranojë ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe nuk mund ta pranojë që t’i falet tokë Malit të Zi”, tha Ymeri.

Njëjtë i ashpër kundër marrëveshjeve dhe drejtuesve të qeverisë ishte kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj.

“Kosova e përgjumur po ngjallet dhe ne po bëhemi pjesë e një Kosove aktive. Kosova aktive nuk ëhstë kundër askujt, por në mbrojtje të interesave tona”, tha Limaj.

“Opozita e bashkuar po fuqizohet. I ftojmë edhe intelektualët e Anamoravës t’i bashkohen opozitës sepse është momenti ta mbrojmë Kosovën. Mos lejoni të ardhmen e juaj ta vrasin sot”, u shpreh ai.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se klasa politike në pushtet duke dashur ta shpëtojë veten “po synon ta sjellë Serbinë në Kosovë”.

“Sot lufta nuk po bëhet me pushkë. Sot edhe ju po luftoni në shesh, kundër marrëveshjeve”, tha Haradinaj.

“Na kanë quajtur edhe banditë edhe kriminelë. Na kanë thënë ashtu që të ju ndalin juve për të mos protestuar kundër marrëveshjeve. Pas një kohe na thirrën të bisedojnë me ne”, u shpreh ai.