Asif Ali Zardari - Foto: REL/AP

Nën akuzat për korrupsion arrestohet ish-presidenti i Pakistanit

Autoritetet në Pakistan arrestuan ish-presidentin e këtij vendi, Asif Ali Zardari, nën akuzat për korrupsion.

Zardari u arrestua në rezidencën e tij në Islamabad, pasi gjykata e hodhi poshtë kërkesën e tij për zgjatje të dënimit me kusht në një rast të pastrimit të parave.

Gjykata e Lartë në Islamabad e refuzoi kërkesën e ngjashme edhe nga motra e Zardarit, Faryal Talpur.

Sipas raporteve, deri më tani nuk është lëshuar ndonjë urdhërarrest për Talpurin.

Zardari dhe Talpur akuzohen për transferimin e një milion dollarëve në kompaninë e tyre private, përmes llogarive të rreme bankare.

Zardari dhe Talpur i mohojnë akuzat kundër tyre.

Autoritetet në Pakistan kanë arrestuar disa politikanë nën akuzat për korrupsion prejse kryeministri Imran Khan ka marrë detyrën, vitin e kaluar.

Gjykata Supreme e ka larguar paraardhësin e tij, Nawaz Sharif, nga detyra, nën akuzat për korrupsion.

Zardari është zgjedhur president në vitin 2008, pasi ka udhëhequr përpjekjet për të larguar sundimtarin ushtarak, Pervez Musharraf, dhe ka shërbyer deri në vitin 2013. (REL)