FSK dhe partneret

Në konferencën 'FSK-së me partnerët' dënohen kërcënimet ndaj pjesëtarëve serbë

Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës është mbajtur sot konferenca e 9-të e FSK-së dhe partnerëve, ku përveç krerëve shtetërorë të Kosovës të pranishëm ishin edhe zyrtarë të shteteve mike.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga shtetet e NATO-së që ta pranojnë FSK-në në familjet e tyre.

Në mes tjerash ai ka folur edhe për kërcënimet që po u bëhen pjesëtareve të FSK-së që vijnë nga komuniteti serb.

“Është e papranueshme që të kërcënohen pjesëtarët dhe familjaret e tyre pse shërbejnë në një organizatë, por FSK është e të gjithëve, edhe atyre”, tha në mes tjerash Haradinaj, i cili shtoi se FSK-ja është e gatshme të shërbej në operacione paqësore kudo në botë.

Ndërsa ministri i FSK-së, Rrustem Berisha tha se ndihet krenar me punën që ka arritur FSK-ja.

Edhe ministri, njëjtë si shefi i tij, foli për kërcënimet që po u bëhen pjesëtarëve serbë të FSK-së.

“Interesim të veçantë e kemi përkushtuar ndaj komuniteteve pakicë në Kosovë, mirëpo kohëve të fundit jemi ballafaquar me kërkesa grupore për largim nga Forca e Sigurisë së Kosovës”, tha në mes tjerash.

Ndërsa komandanti i FSK-së, Gjeneral Rrahman Rama tha se FSK-ja është e gatshme të ndihmojë në operacione paqësore.

“FSK është forcë kredibile dhe është forcuar së bashku me partnerët. FSK është e gatshme të ndihmojnë në aksione paqësore në botë”, tha ndër tjerash gjenerali Rama.

Ndërsa kryeparlamentari, Kadri Veseli para të pranishmëve përmendi ligjet për FSK-në që u miratuan para pak ditësh në Kuvendin e Kosovës.

“Në në Kuvendin e Kosovës kemi procedu 3 ligje të nevojshme, i kemi miratuar dhe do lëvizim bashkë me partneritet, nuk po bëjmë asgjë të jashtëzakonshme dhe do jemi me ju”, tha tutje ai.

Pas deklarimit të zyrtarëve shtetëror të Kosovës, kjo konferencë vazhdoi me dyer të mbyllura.