Avokati Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, të cilët u vranë nga forcat serbe më 25 mars 1999 - Foto: Facebook

Në 19 Vjetorin e Vrasjes Kujtohen Bajram Kelmendi dhe Dy Djemtë e Tij

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar sot, në 19-vjetorin e vrasjes nga forcat serbe, avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, të cilët ishin marrë nga shtëpia e tyre dhe ishin ekzekutuar rrugës për Fushë-Kosovë.

“Një ndër krimet më mizore dhe më të rënda që forcat e Serbisë kryen në Kosovë ishte vrasja brutale, 19 vjet më parë, e avokatit dhe veprimtarit të shquar shqiptar, Bajram Kelmendit dhe dy bijve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kjo parti kërkon vazhdimisht nga institucionet e Kosovës që të punojnë në zbardhjen e rastit të familjes Kelmendi.

Sipas LDK-së, veprimtaria e avokatit Kelmendi ka lënë gjurmë të pashlyeshme për historinë e Kosovës.

“Kosova edhe sot ndjen dhembje të madhe për vrasjen e Bajram Kelmendit dhe dy bijve të tij. I përjetshëm qoftë kujtimi për Avokatin Bajram Kelmendi dhe bijtë e tij”, thuhet në komunikatën e LDK-së.